
Struktura ekziston ende, por me kosto marramendëse, pak të strehuar dhe kritika të ashpra për shkelje të të drejtave dhe mungesë transparence.
Qendra e ndalimit të migrantëve në Gjadër, në veri të Shqipërisë, sot është pothuajse e zhdukur nga vëmendja publike, megjithëse vijon të jetë funksionale. Të dhënat e fundit të disponueshme datojnë 1 gusht 2025, sipas të cilave rreth 140 persona kanë kaluar nëpër qendër që prej transformimit të saj në CPR në prill. Prej tyre, 113 kanë dalë për arsye të ndryshme dhe vetëm 37 janë riatdhesuar, ndërsa aktualisht ndodhen rreth 27 persona në godinë.
Kritikat më të mëdha lidhen me shpenzimet. Kostoja për ngritjen e çdo vendi akomodimi ka kapur mbi 153 mijë euro, ndërsa operimi ditor i hub-it shqiptar gjatë vitit 2024 është vlerësuar në 114 mijë euro. Modeli fillestar parashikonte pritjen e deri në 3 mijë kërkuesve të azilit në muaj, por shifrat realisht kanë qenë disa dhjetëra herë më të ulëta. Një raport i ActionAid dhe Universitetit të Barit thekson se në vitin 2024 CPR i Gjadrit ka funksionuar vetëm pesë ditë, me një kosto rreth 114 mijë euro në ditë për afërsisht 20 persona. Në total, kontratat për ndërtimin e qendrave në Gjadër dhe Shëngjin kanë arritur mbi 74 milionë euro deri në mars 2025.
Edhe procedurat e riatdhesimit kanë rezultuar më të shtrenjta se në Itali: vetëm fluturimi i parë charter nga Tirana më 9 maj ka kushtuar mbi 31 mijë euro më shumë se një operacion identik i nisur nga Italia, me një kosto shtesë rreth 6.300 euro për çdo të riatdhesuar.
Problematikat nuk mbyllen te financat. Deputetë të opozitës italiane dhe organizata të pavarura flasin për praktika të dyshimta ligjore, mungesë aksesesh juridike për të ndaluarit, izolim të theksuar, mungesë informacioni dhe procedura të paqartë transferimi. Raportet për vetëdëmtime, tentativa vetëvrasjeje dhe tensione të brendshme flasin për një mesatare prej rreth tre incidenteve kritike në ditë. Ndërkohë, mungesa e shërbimeve rekreative, ngrënia brenda dhomave dhe mungesa e një mense të dedikuar shtojnë vështirësitë e përditshme.
Ekspertët e TAI dhe Garancisë për të Drejtat e të Dënuarve në Itali kanë nënvizuar se me vetëm 27 persona të strehuar dhe kapacitete të lira në qendrat brenda Italisë, transferimi në Gjadër mbetet i pakuptimtë. Në korrik, një urdhër gjykate në Romë kërkoi lirimin urgjent të një të huaji për shkak të cenimit të të drejtës për shëndet, çka ka vënë sërish në qendër të vëmendjes çështjen e ekstraterritorialitetit dhe kontrollit shëndetësor.
Gjadri vazhdon të qëndrojë në heshtje, i shtrenjtë, thuajse bosh dhe i mbuluar nga një mjegull e madhe pyetjesh pa përgjigje. Për shumë organizata të fushës së migracionit, projekti po shndërrohet në një laborator ku po eksperimentohen politika të kufirshme, të shtrenjta dhe me pasoja të thella njerëzore.
