
Ish-drejtori i ARRSH kërkon mos përdorimin e të dhënave nga telefoni dhe pretendon kthimin e sendeve, ndërsa SPAK lidh tenderat me pastrim fondesh përmes kompanive fiktive.
Ish-kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ervis Berberi, aktualisht nën masë arresti për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave, ka kërkuar gjykim të shkurtuar në procesin që po zhvillohet ndaj tij. Ai ka depozituar në gjykatë kërkesë për të mos u përdorur të dhënat e nxjerra nga celulari, si dhe kthim sendesh e fshirje korrespondence që sipas mbrojtjes janë marrë në mënyrë të parregullt.
Berberi u arrestua më 13 mars 2024 me urdhër të Gjykatës së Posaçme, pas dyshimeve se ka abuzuar me tendera publikë dhe ka përfituar fonde përmes kompanive të lidhura. SPAK dyshon se gjatë kohës kur ai drejtonte Efiçencën e Energjisë dhe më vonë ARRSH-në, janë zhvilluar disa procedura prokurimi me vlerë mbi 2.7 milionë euro, të fituara nga kompania DAAM dhe kompania “Net Group”, e drejtuar nga sipërmarrësi Valter Begaj. Hetimet tregojnë se “DAAM” kontrollohej de facto nga vetë Berberi.
Sipas prokurorisë, një sasi e konsiderueshme parash është transferuar nga “Net Group” drejt “DAAM”-it përmes transaksioneve të strukturuara, të cilat janë përdorur më pas për blerje pronash të paluajtshme. Këto lëvizje financiare përkojnë me periudhën e dhënies së tenderave, duke ngritur dyshime për skemë të pastrimit të parave.
Procesi gjyqësor vijon, ndërsa vendimi për kërkesën e gjykimit të shkurtuar pritet të luajë rol vendimtar në kohëzgjatjen dhe drejtimin e mëtejshëm të hetimeve ndaj ish-kreut të ARRSH.
