
80% e flokëve që bëhen paruke e extension në tregun global vijnë nga India; nga tonsurat e tempullëve te shitja për 400 dollarë/kg, rruga e gjatë e një biznesi që pasuron fabrikat në Kinë e Perëndim.
India është kthyer në furnizuesin kryesor të flokëve njerëzorë në botë, duke mbuluar mbi 80% të tregut global. Flokët indianë shndërrohen në paruke dhe extension të përdorura në mbarë botën, me një vlerë tregu mbi 5 miliardë euro në vit dhe kërkesa sa vjen e rritet. Cilësia më e çmuar është ajo e “temple remy hair”, flokë të mbledhur në tempujt hindu si formë sakrifice shpirtërore.
Në tempullin e famshëm Venkateshwara në Tirupati, çdo vit rreth 12 milionë besimtarë kryejnë ritualin e rruajtjes së kokës, ndërsa flokët e mbledhur shiten në ankande që gjenerojnë rreth 17 milionë dollarë në vit, duke financuar shkolla, spitale dhe hizmete sociale. Flokët e gjatë mbi 60 cm arrijnë mbi 400 dollarë për kilogramë.
Por jo i gjithë biznesi ka shkëlqim: një pjesë e konsiderueshme vjen nga mbledhësit e flokëve në zonat rurale, shpesh nga kastat më të ulëta, të cilët paguhen vetëm disa dollarë për kilogramin e flokëve të mbledhur nga shtëpi, sallone apo mbeturina. Më pas materiali kalon nga duar të ndryshme grumbullues, përpunues, eksportues, deri te fabrikat gjigante në Kinë, që prodhojnë mbi 70% të parukeve botërore.
Flokët remy të cilësisë së lartë përfundojnë në tregun luksoz të extensionëve, ku përpunohen, dekolorohen dhe ngjyrosen në qindra nuanca para se të shiten në sallonet premium të Perëndimit. Kompani si Great Lengths në Itali furnizojnë tregun ekskluziv me produkt të importuar nga tempullët indianë dhe të certifikuar si “etikë” e me origjinë vullnetare.
Nga varfëria e fshatrave indiane te industria miliarda-dollarëshe e bukurisë botërore, flokët udhëtojnë më larg se çdo produkt tjetër organik, duke u bërë simbol i një ekonomie që ndërthur shpirtëroren me komercen, shpresën me nevojën dhe identitetin me tregun global të estetikës.
