
Raporti 174-faqësh konkludon se sulmi ndaj Skripalëve ishte operacion shtetëror rus i urdhëruar në nivelet më të larta, viktima e pafajshme vdiq pasi përdori parfumin ku ishte fshehur agjenti nervor.
Një komision zyrtar në Londër ka arritur në përfundimin se presidenti rus Vladimir Putin është përgjegjës moralisht për vdekjen e britanikes Dawn Sturgess, e cila humbi jetën në vitin 2018 pasi përdori një shishe parfumi që përmbante agjentin nervor vdekjeprurës Novichok. Sturgess, nënë e tre fëmijëve, e përdori shishen si parfum pa e ditur se ishte lënë në rrugë nga agjentë të GRU ruse, që synonin vrasjen e ish-agjentit Sergei Skripal dhe të bijës Yulia.
Lord Hughes, kryetar i hetimit, deklaroi se provat tregojnë qartë se atentati ishte operacion shtetëror rus dhe se misioni “duhej të ishte autorizuar në nivelin më të lartë, nga vetë Presidenti Putin”. Sipas tij, ekzekutorët, Petrov, Boshirov dhe Fedotov , vepruan me “pakujdesi të jashtëzakonshme”, duke lënë Novichokun në një shishe parfumesh Nina Ricci dhe më pas duke e hedhur në një zonë publike, ku më vonë ra në duart e çiftit britanik.
Hetimi thekson se përdorimi i Novichokut në qendër qyteti ishte “akt i pamatur dhe demonstrim i hapur force”, i konceptuar për të dërguar mesazh politik brenda dhe jashtë Rusisë. Skripal dhe vajza e tij mbijetuan, por kaluan javë të tëra në koma, po ashtu edhe partneri i Sturgess, Charlie Rowley, i cili rastësisht gjeti parfum-in në një kosh bamirësie dhe ia dhuroi.
Raporti përjashtoi fajësinë e autoriteteve britanike, duke theksuar se asnjë masë sigurie e zakonshme nuk do të mund ta kishte parandaluar një sulm të tillë kimik. Ndërkohë, kërkimet për tre agjentët e GRU vazhdojnë, por Rusia nuk pranon ekstradimin.
Hetimi i cili zëvendësoi çështjen gjyqësore mbi vdekjen e Sturgess, synon të sjellë përgjigje për familjen e saj dhe të hedhë dritë mbi rrezikun potencial të sulmeve të ngjashme në territoret perëndimore.
