
Brian Cole u identifikua dhe u kap nga FBI pa përdorur shpërblimin 500 mijë dollarësh, hetimi u rindërtua nga e para në administratën Tramp
FBI ka arrestuar amerikanin Brian Cole, i dyshuar për vendosjen e bombave me tuba pranë selive të Partive Demokrate dhe Republikane në Uashington natën para trazirave të 6 janarit 2021. Arrestimi erdhi thuajse pesë vite pas ngjarjes, pa asnjë informacion publik, pavarësisht shpërblimit prej 500.000 dollarësh të ofruar për identifikimin e autorit.
Drejtori i FBI, Kash Patel, tha ekskluzivisht për New York Post se çështja u zgjidh vetëm falë punës së pandërprerë hetimore, analizës së provave dhe përdorimit të teknologjive të reja. Sipas tij, ekipi i ri hetimor e rishikoi dosjen nga zero, duke rikonstruktuar zinxhirin e provave dhe duke ekzekutuar urdhër- kontrollin që çoi në arrestim.
Cole u ndalua të enjten në Woodbridge, Virginia, ku agjentët bastisën banesën dhe sekuestruan provat. Hetuesit theksojnë se bombat ishin vendosur në zona ku asokohe po kalonin Kamala Harris dhe Nancy Pelosi, vetëm pak metra larg pajisjeve të rrezikshme. Ndërsa qindra protestues të 6 janarit u identifikuan dhe u dënuan më herët, autori i bombave kishte mbetur i pakapur për vite.
Patel tha se suksesi i këtij operacioni tregoi çfarë mund të arrihet përmes një FBI të fokusuar dhe të disiplinuar, ndërsa shpjegoi se administrata Biden nuk arriti rezultate gjatë mandatit të saj. Arrestimi i Cole shënon një kthesë të rëndësishme në çështjen e shumëpërfolur të bombave të 6 janarit, e cila mbetet një nga episodet më të errëta të historisë së fundit politike amerikane.
