
Winona Ryder rrëfen shënimin e thjeshtë të Scorseses që ndryshoi një skenë kyçe në filmin “Mosha e Pafajësisë” një kujtim që aktorja e ruan ende pas tri dekadash.
Winona Ryder ka kujtuar një moment të veçantë nga xhirimet e filmit “Mosha e Pafajësisë”, kur regjisori Martin Scorsese i dha në dorë një copë letre me vetëm dy fjalë që i ndryshuan krejtësisht lojën aktoriale. Në atë shënim ishte shkruar “Puthje dy herë”, një udhëzim i shkurtër që, sipas saj, i dha skenës me aktorin Daniel Day-Lewis një ton më të fortë psikologjik. Ryder e quan atë shënim “i përsosur”, sepse i dha personazhit të saj një qetësi të vendosur, por të pamëshirshme, që ndryshoi tërësisht emocionin e momentit.
Aktorja tregon se i ruan ende të gjitha shënimet që Scorsese i jepte në heshtje gjatë xhirimeve, të cilat i quan “dhurata të pazëvendësueshme”. Ajo shpjegon se dy puthjet në skenë nuk ishin romantike, por një lëvizje strategjike që tregonte një May më të vetëdijshme dhe më në kontroll se sa mendohej fillimisht. “Ai mesazh ndryshoi dinamiken e gjithë skenes”, thotë Ryder.
Gjatë intervistës, ajo foli edhe për periudhën e punës me regjisorin Tim Burton në filmin “Beetlejuice”, duke kujtuar kohën kur regjisorët qëndronin pranë kamerës, jo pas monitorëve. “Të kesh regjisorin aty, afër aktorit, është një ndihmë e madhe”, tha ajo, duke shprehur mall për mënyrën e vjetër të xhirimeve, më të afërt dhe më njerëzore.
Winona Ryder përmendi gjithashtu rolet e saj në filma të tjerë si “Heathers” dhe “Drakula”, por vuri në dukje diçka që e mban mend më fort se çdo sukses: kinemaja ngrihet mbi detaje të vegjël. Një shënim i dorëzuar në heshtje, një vështrim, një gjest i thjeshtë, që mbetet përgjithmonë në kujtesë dhe në ekran.
