Florina Cani, nëna e 15-vjeçarit Martinit, i cili u vra një vit më parë në Tiranë nga një bashkëmoshatar, ka shprehur tronditjen e saj pas lajmit për vdekjen e një 15-vjeçari tjetër, i plagosur me thikë në Durrës.
Në një prononcim për Top Channel, ajo kritikoi institucionet për mosveprimin dhe theksoi se këto ngjarje përbëjnë një alarm serioz për gjithë shoqërinë.
“Më është tronditur shpirti përsëri. Për Erjonin kam shkruar shumë herë; dua të jem zëri i fëmijëve tanë, por e vërteta është e dhimbshme. Pse nuk reagojnë institucionet? Shkolla duhet të jetë vend sigurie, jo lufte. Martini, Eraldo, Erjoni. Emra fëmijësh që nuk duhet të ishin kurrë pjesë e lajmeve të dhunës, janë plagë për zemrat tona dhe alarm për gjithë shoqërinë. Unë kërkoj mbrojtje për fëmijët tanë. Mos na i prekni fëmijët, mos na i merrni fëmijët. Zgjohuni! Merrni masa, ndaloni dhunën. Fëmijët tanë kanë të drejtë të jetojnë” thuhet në mesazh.
Erjon Boba, 15‑vjeçari që u plagos disa ditë më parë me thikë në zemër gjatë një konflikti mes adoleshentësh në Durrës ka humbur jetën. I mituri u dërgua me urgjencë në spital dhe iu nënshtrua menjëherë një ndërhyrjeje kirurgjikale, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk arriti t’i mbijetojë plagëve.
Spitali i Durrësit ka konfirmuar një ditë më parë se adoleshenti ndodhej në gjendje shumë të rëndë, i intubuar dhe në reanimacion. Konflikti që çoi në ngjarjen tragjike dyshohet se nisi pas një komenti në rrjetet sociale, duke përshkallëzuar më pas në dhunë fizike.
Konflikti që dyshohet se nisi në rrjetet sociale mes dy adoleshentëve përfundoi në një përleshje të dhunshme në rrugën “Laguna e Karavastasë”, në zonën e ish-Kënetës në Durrës, ku 15-vjeçari Erjon Boba mbeti i plagosur rëndë.
Burimet për mediat bënë me dije ditën që ndodhi ngjarja, se dy adoleshentët e përfshirë në konflikt u takuan me shokët e tyre për t’u “sqaruar”, por debati i nisur në rrjetet sociale u përshkallëzua në përleshje fizike.
Gjatë sherrit u përdorën sende të forta dhe, sipas policisë, një 14-vjeçar me inicialet M.K. goditi 15-vjeçarin me thikë katër herë, duke i shkaktuar plagë të rënda. Autori i mitur dyshuar është arrestuar menjëherë nga Policia e Durrësit./
