
Kryebashkiaku i zgjedhur deklaron se do të ndalojë fshirjen e kampimeve të pastrehëve, duke hequr dorë nga një nga politikat kryesore të administratës Adams.
Kryebashkiaku i zgjedhur i New York-ut, Zohran Mamdani, ka njoftuar se pas marrjes së detyrës në fillim të vitit të ri, do të ndalojë operacionet e pastrimit të kampimeve të pastrehëve në qytet. Vendimi shënon një largim të dukshëm nga politika e Eric Adams, i cili prej vitit 2022 kishte bërë prioritet të administratës së tij eliminimin e tendarëve dhe vendqëndrimeve informale të të pastrehëve në rrugë, parqe dhe hapësira publike.
Në një konferencë për shtyp, Mamdani deklaroi se aksionet e deritanishme nuk kanë prodhuar zgjidhje reale, pasi shumica e të pastrehëve përfundojnë sërish në rrugë. Ai theksoi se qasja e re do të ketë në qendër strehimin, jo zhvendosjen e njerëzve nga një zonë në tjetrën. Sipas të dhënave, në 11 muajt e parë të vitit 2025, qyteti ka regjistruar mbi 45 mijë ankesa për kampime të pastrehësh, ndërsa auditimet tregojnë se rreth 95 për qind e njerëzve të larguar nga këto zona nuk kanë përfituar strehim afatgjatë.
Mamadni nuk dha detaje të plota mbi mënyrën se si do të menaxhohet situata dhe se si do t’i përgjigjet ankesave të shumta të komunitetit për sigurinë dhe higjienën urbane, por u zotua se politika e re do synojë lidhjen direkte të të pastrehëve me mundësi konkrete strehimi, qoftë me qira, qoftë përmes programeve mbështetëse.
Administrata Adams ka mbrojtur nismën e saj, duke theksuar se qindra persona janë lidhur me programe sociale, ndërsa zyrtarët bashkiakë këmbëngulin se operacionet kanë qenë të suksesshme në ruajtjen e rendit publik.
Me hyrjen e Mamdanit në zyrë, New Yorku pritet të nisë një fazë të re testimi për politikat sociale në qytet, midis pritshmërive të larta, kritikave të shumta dhe një sfide të madhe: ta trajtojë krizën e pastrehësisë jo si problem estetik të rrugëve, por si realitet social që kërkon zgjidhje të qëndrueshme.
