
Sipas analistëve mbretërorë, amerikanët ende e shohin Harryn si përfaqësues të familjes Windsor dhe komentet e tij politike krijojnë tension diplomatik mes SHBA-Britani.
Princ Harry po përballet me thirrje të forta që t’i hiqen titujt mbretërorë pas paraqitjes së tij të fundit në emisionin e Stephen Colbert, ku ai ironizoi Donald Tramp dhe e quajti “mbret të zgjedhur”. Komenti provokoi debat të gjerë në media, ndërsa shumica e kritikëve argumentojnë se Harry, pavarësisht largimit nga detyrat zyrtare në vitin 2020, ende perceptohet në SHBA si zë i monarkisë britanike.
Tom Sykes, analist i çështjeve mbretërore, deklaroi se situata i vë në pozitë të vështirë si Mbretin Charles, ashtu edhe diplomacinë britanike para vizitës shtetërore të planifikuar në Uashington vitin e ardhshëm. Ai sugjeron se heqja e titujve Princ i Sussex-it dhe Duka i Sussex-it “nuk duhet parë si ndëshkim, por si qartësim”, duke ndarë publikisht Harryn-person privat nga Harry-figura mbretërore.
Debati u ndez pasi Harry u shfaq në emision duke bërë skeçe humoristike, duke imituar meme, si dhe duke ironizuar çështje politike rreth Trump, protestave “No Kings”, si edhe marrëdhëniet e medias me ish-presidentin amerikan. Kritika u shtua nga fakti se Harry jeton në SHBA me vizë dhe ka qenë më herët subjekt diskutimesh politike për të drejtën e qëndrimit të tij në vend.
Nga ana tjetër, disa komentues pas shfaqjes e cilësuan performancën e tij si të pahijshme dhe të rrezikshme në një klimë të tensionuar politike amerikane, ku debatet rreth emigracionit, figurave publike dhe pozicionit të Shtëpisë Mbretërore janë thelluar.
Mbretëria britanike deri tani nuk ka komentuar publikisht, por ekspertët mendojnë se veprime të tilla mund të dëmtojnë imazhin neutral të monarkisë. Ndërkohë, vetëm koha do tregojë nëse sugjerimet për heqjen e titujve do të mbeten retorikë mediatike apo do kalojnë në diskutim zyrtar.
Princ Harry vijon jetën e tij në Kaliforni me Meghan Markle dhe dy fëmijët e tyre, ndërsa çdo dalje publike e çiftit vazhdon të ndizë debat global rreth kufirit midis lirisë personale dhe peshës së titujve mbretërorë.
