
Boeing 777 i Air China u ul me urgjencë në Rusi pas dyshimeve për zjarr në bagazhet e avionit; pasagjerët u urdhëruan të largoheshin menjëherë mes panikut dhe britmave
Një fluturim i Air China nga Pekini drejt Los Anxhelosit është detyruar të bëjë ulje emergjente në rajonin sub-arktik të Rusisë, Anadyr, pas alarmit për një zjarr të mundshëm në ndarjen e bagazheve. Më shumë se 188 pasagjerë u evakuuan menjëherë nga aeroplani Boeing 777 përmes rrugëve emergjente ndërsa në bord shpërtheu paniku.
Sipas mediave të huaja, përfshirë Telegraph, pasagjerët raportuan se në kabinë u dëgjuan britma dhe shpërtheu panik kur ekuipazhi urdhëroi daljen e menjëhershme. Një udhëtar ka treguar online se sapo u hap dera e avionit, një anëtare e stafit ulëriti se duhej të linin gjithçka dhe të largoheshin menjëherë, pasi ekzistonte rreziku që avioni të shpërthente.
Pamjet e publikuara tregojnë momentin kur pasagjerët zbresin me nxitim në pistën e ngritur me borë në Chukotka, në veri të Rusisë. Sipas raporteve paraprake, alarmet e avionit treguan mundësinë e një zjarri në bagazhe, duke bërë që piloti të kërkonte ulje emergjente në aeroportin më të afërt.
Fatmirësisht, të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhi u evakuuan në mënyrë të sigurt përmes shiritave emergjentë, pa raportime për të lënduar. Autoritetet ruse dhe kompania ajrore kanë nisur verifikimet për të zbuluar shkakun e alarmit.
