
Altin Nallbati alias Duçja, Marsel Buçi dhe Trajan Çeliku akuzohen për rrëmbim dhe dhunë të rëndë; viktima dëshmon momente terrori dhe kërcënime për jetë
Zbardhen detaje tronditëse nga dosja e ngjarjes së fundtetorit në Bilisht, ku Ilir Topçiu u rrëmbye dhe u dhunua brutalisht nga Altin Nallbati, i njohur si Duçja, së bashku me bashkëpunëtorët Marsel Buçi dhe Trajan Çeliku. Për tre të dyshuarit, gjykata ka caktuar masën e arrestit me burg për 40 ditë, ndërsa ata po mbahen në paraburgimin e Drenovës.
Sipas dosjes hetimore, autorët dyshonin se Topçiu kishte dhënë informacion tek shefi i krimeve në Bilisht lidhur me arrestimin e Ylli Xhaçkës për drejtim automjeti pa patentë. Nën këtë pretekst, Trajan Çeliku e ka marrë me makinë nga shtëpia, duke i thënë se do ta ballafaqonte me policinë. Por në vend të komisariatit, viktima u dërgua në një magazinë të Altin Nallbatit, ku nisi dhuna.
Topçiu tregon se është goditur me grushte e shkelma pa ndërprerje, derisa humbi ndjenjat. Kur është përmendur, Marsel Buçi i ka fikur cigaren në ballë dhe e ka kërcënuar se do ta vriste dhe do ta zhdukte me acid. Ekspertiza mjeko-ligjore konfirmon dëmtime të shumta, përfshirë hematoma, ekimoza dhe dy plagë djegieje në ballë nga cigare e ndezur.
Pas ngjarjes, familjarë e avokatë të të arrestuarve thuhet se kanë tentuar pajtimin me Topçiun duke kërkuar tërheqjen e kallëzimit.
Nga hetimet rezulton se Altin Nallbati identifikohet nga policia si person i lidhur me aktivitete kriminale, ndër to trafikim emigrantësh dhe shpërndarje droge në zonën e Devollit. Rasti ka shkaktuar reagime për shkak të përfshirjes së familjarëve të një deputeti dhe brutalitetit të përdorur ndaj viktimës.
Hetimet për rrëmbimin, dhunën dhe kërcënimin me jetë vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të motivit dhe rrethanave.
