
Në një dokument të ri strategjik të Shtëpisë së Bardhë, presidenti amerikan kritikon politikat europiane për emigracionin dhe rënien ekonomike, duke shkaktuar reagim të menjëhershëm nga Berlini
Presidenti amerikan Donald Tramp ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj vendeve të Bashkimit Europian, duke deklaruar se kontinenti rrezikon një zhdukje civile dhe do të jetë i panjohur në më pak se 20 vite nëse nuk ndryshon kursin aktual politik dhe demografik. Deklaratat janë pjesë e një dokumenti të ri të strategjisë kombëtare, i cili synon të zbardhë vizionin America First dhe rolin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara në botë.
Dokumenti kritikon hapur vlerat dhe politikat europiane, veçanërisht ato që lidhen me emigracionin dhe menaxhimin ekonomik. Administrata amerikane shprehet se SHBA do të mbështesë forca politike brenda Europës që kundërshtojnë linjën e BE, duke theksuar se kontinenti ka humbur vetëbesimin civilizues dhe duhet të rikthejë identitetin e tij kulturor. Sipas strategjisë, rënia e peshës ekonomike të Europës në skenën globale nuk është sfida kryesore, por rreziku i zhdukjes së strukturës tradicionale shoqërore.
Deklarata ngjalli përgjigje të menjëhershme nga Berlini. Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul u shpreh se SHBA është aleati kryesor brenda NATO, por shtoi se vendet europiane do t’i diskutojnë çështjet e sigurisë pa pasur nevojë për këshilla të jashtme. Reagimi pason një seri të qëndrimeve të forta të administratës Trump ndaj Europës, veçanërisht lidhur me krizën e emigracionit, luftën në Ukrainë dhe zgjerimin e NATO.
Strategjia e re sinjalizon një ridrejtim të politikës së jashtme amerikane. Dokumenti thekson se SHBA nuk synon më rolin e superfuqisë dominuese globale, por kërkon të shmangë dominimin e fuqive të tjera dhe të zhvendosë fokusin drejt hemisferës perëndimore dhe Amerikës Latine, ku Trump synon të forcojë doktrinën Monroe në një variant të ri, të quajtur Trump Corollary. Ai paralajmëron se epoka e migracionit masiv duhet të marrë fund dhe siguria kufitare është elementi themelor i sigurisë kombëtare.
Në dokument jepen sinjale edhe për ndryshime në raportet me Kinën, ku Pekini mbetet konkurrent kryesor ekonomik, ndërsa politika ndaj Tajvanit duket se mbetet në status quo me kërkesë që Japonia dhe Koreja e Jugut të kontribuojnë më shumë në mbrojtjen e tij. Ndërsa Lindja e Mesme dhe Afrika marrin vëmendje më të vogël krahasuar me dekadat e mëparshme, duke sinjalizuar një zhvendosje të interesave strategjike amerikane.
Strategjia e re vjen në një moment global tensioni politik dhe i vendos qartë linjat e ndarjes mes Uashingtonit dhe shumë kryeqyteteve europiane, me paralajmërime se pasojat e politkave aktuale mund të jenë të pakthyeshme brenda dy dekadave.
