
Tramp fokusohet te lufta kundër trafikut të drogës, por një referendum i papritur ndal operacionin ushtarak dhe ngritjen e bazave amerikane në territor ekuadorian
Shkalla e vrasjeve në Ekuador renditet ndër më të lartat globalisht, teksa bandat kolumbiane, shqiptare dhe meksikane përplasen për kontrollin e trafikut të kokainës dhe rrugëve të eksportit drejt Evropës, SHBA dhe Azisë. Pikërisisht në këtë realitet të tensionuar, administrata e Donald Trump e ka kthyer luftën kundër karteleve në një prioritet strategjik për hemisferën perëndimore.
Uashingtoni akuzon Presidentin e Venezuelës Nicolas Maduro se mban lidhje me rrjete të trafikut të kokainës dhe kërkon largimin e tij nga pushteti. Për këtë arsye janë zhvendosur trupa, fregata dhe avionë luftarakë amerikanë pranë kufijve të Venezuelës, duke sinjalizuar një rikthim të pranishëm dhe agresiv në rajon.
Megjithatë, përpjekja për të zgjeruar praninë ushtarake në Ekuador u përball me rezistencë të fortë brenda vendit. Referendumi i 16 nëntorit me pjesëmarrje 82% rrëzoi propozimin e qeverisë e cila do t’i lejonte SHBA-ve rikthimin e bazave në Manta, atje ku trupat amerikane operuan deri në vitin 2009. Për shumicën e qytetarëve, rikthimi i ushtrisë amerikane shihej si cenim i sovranitetit kombëtar, pavarësisht argumenteve se prania e saj do të forconte luftën kundër rrjeteve kriminale.
Ekuadori mbetet një nga korridoret qendrore të trafikut të kokainës. Portet, sidomos ai i Guayaquil, shfrytëzohen për dërgesa drejt tregjeve më fitimprurëse të Evropës, ku çmimi i një kilogrami kokainë arrin deri në 40 mijë dollarë. Praktika e fshehjes së drogës në kontenierë me banane ka marrë emrin narkobanana dhe lidhet edhe me kompani të mëdha eksportuese, përfshirë biznesin familjar të Presidentit Noboa.
Ndërkohë SHBA po forcon praninë ushtarake në Karaibe dhe Amerikën Qendrore. Që nga fundi i nëntorit raportohen të paktën 21 anije të shkatërruara dhe 83 persona të vrarë në operacione detare anti-trafik, pa paraqitje të provave për ngarkesa me drogë dhe pa proces ligjor për të dyshuarit. Mbi 15 mijë trupa amerikane janë vendosur tashmë në rajon, përfshirë aeroplanmbajtësen USS Gerald Ford dhe avionët F-35 në Porto Riko.
Vendosja e forcave amerikane ka shkaktuar tensione të reja gjeopolitike. Komunitete peshkatarësh, sidomos në Trinidad dhe Tobago, raportojnë se qëndrojnë afër bregut nga frika se mund të goditen si objektiv gabimisht. Kujtimet e incidentit të vitit 2002, kur një varkë peshkimi u fundos dhe 19 persona humbën jetën, mbeten ende të freskëta.
Ndërsa Uashingtoni synon të frenojë kartelet dhe të dobësojë ndikimin e Venezuelës dhe Kubës, rajoni gjendet mes dilemës së sigurisë dhe shkeljes së sovranitetit. Lufta për kontrollin e tregut të kokainës vazhdon, dhe me të edhe betejat politike që shoqërojnë çdo lëvizje të fuqive të mëdha në Amerikën Latine.
