Shpëtim Çeliku, i cili vuante dënimin me 25 vite burg për vrasjen e bashkëshortes së tij shtatzënë, ndërroi jetë sot në QSUT. Çeliku kishte shfaqur probleme shëndetësore më 15 tetor dhe ishte transferuar në spitalin e burgjeve nga IEPV Shkodër. Drejtoria e Burgjeve bën me dije se ai ka vdekur si pasojë e një arresti kardiorespirator. Nga dënimi, Çelikut i kishin mbetur për të vuajtur edhe 8 vite e 5 muaj.
Kush ishte Shpëtim Celiku?
Shpëtimi është fëmija i 7-të i familjes së madhe Çeliku nga Librazhdi. Ishte shumë i vogël kur u dëtyrua të linte shkollën për ti ardhur në ndihmë familjes së madhe me shumë anëtarë. Kur ishte ende shumë i ri Shpëtimi bie në dashuri me një vajzë. Ata krijuan një marrëdhënie së bashku dhe ai pranoi kushtet në të cilat ajo ndodhej, derisa Shpëtimi vendos të marrë Manushaqen në shtëpinë e prindërve të tij.
Familja e Shpëtimit ra dakort për shkak të situatës së krijuar, por familja e Manushaqes nuk e aprovuan këtë marrëdhënie, për shkak se Shpëtimi ishte me ngjyrë. Fëmijët erdhën në jetë njëri pas tjetrit dhe të gjithë së bashku jetonin me një pencion që merrte një nga prindërit e Shpëtimit. Kur në jetë erdhi Xhesila vajza e dytë, ata vendosën të shpërngulen drejt Sarandës për më shumë mundësi jetese. Atje jetuan në një shtëpi të braktisur, ndërsa mbanin frymën gjallë duke mbledhur kanaçe.
Si ndodhi krimi
Ngjarja e rëndë ndodhi në dhjetor të vitit 2012, ku Manushaqe Çeliku, e cila ishte në pritje të fëmijës së tretë, u bë viktimë e dhunës së bashkëshortit të saj. Çeliku, asokohe 35-vjeç, e vrau të shoqen me sqepar në sy të dy vajzave të mitura. Pas arrestimit, ai deklaroi se e kishte vrarë për motive xhelozie, pasi dyshonte se fëmijën e saj të tretë (në muajin e gjashtë të shtatzënisë) e kishte me rojën e fshatit.
Ai fshehu krimin e rëndë brenda familjes për dy net dhe bashkë me fëmijët, 3 dhe 7 vjeçe, fjeti me kufomën në të njëjtin krevat. Ai i kërcënoi vajzat e tij të mitura se do t’i rrihte nëse do të guxonin të dilnin jashtë, duke i mbajtur të mbyllura bashkë me kufomën e nënës së tyre.
Krimi u zbulua vetëm pasi fqinja që pinte kafen gati çdo ditë me viktimën Manushaqe Çeliku nisi të dyshonte. Ajo shihte vetëm kryefamiljarin të dilte dhe të futej në banesë në mënyrë të çuditshme, çka ngjalli dyshime se një gjë e rëndë kishte ndodhur. Përgjigjet e shkurtra të fqinjit teksa e pyeste se ku ndodhej e shoqja, bënë që Flora Muka të sinjalizonte policinë.
Forca të Policisë mbërritën në banesën e çiftit dhe shkallmuan derën e shtëpisë, pasi ajo ishte e kyçur nga jashtë. Ata mbetën të shtangur kur në krevat gjetën gruan e masakruar dhe të përgjakur, ndërsa dy vajzat e mitura qanin e dridheshin te koka e saj.
Ekspertët mjekoligjorë konstatuan se vrasja e 34-vjeçares ishte kryer me sqepar dy ditë para se të gjendej trupi. Ajo ishte goditur disa herë në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa kishte shenja djegie (prushi i zjarrit në banesë), sidomos në të ndenjurat dhe në kurriz.
Pas hetimeve të kryera, policia ndaloi bashkëshortin e saj, Shpëtim Çeliku, në lagjen ku banonte. Ai fillimisht ngriti alibi se nuk e dinte çfarë kishte ndodhur në banesën e tij, pasi kishte qenë në Sarandë prej tri ditësh dhe se po kthehej prej andej, por çdo detaj ishte mësuar lidhur me ngjarjen.
