Elon Musk hodhi kritika të forta ndaj Bashkimit Europian, duke deklaruar se “BE-ja duhet të shpërbëhet dhe sovraniteti të kthehet tek shtetet e veçanta”, një reagim që vjen pas gjobës prej 120 milionë eurosh të vendosur nga Brukseli ndaj platformës së tij X.
Ky sulm i Musk shkon paralel me polemikat e shkaktuara nga strategjia e re për sigurinë kombëtare e Donald Trump, që ka ngjallur reagime të ashpra në Europë. Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas, përpiqej të qetësonte situatën, duke pranuar se disa kritika amerikane ishin “të vërteta”, por duke theksuar se SHBA-ja mbetet “aleati më i madh” i Europës. Komisioni Europian, nga ana tjetër, theksoi se vendimet për BE-në merren nga BE-ja dhe për BE-në, duke mbrojtur autonominë normative, lirinë e shprehjes dhe rendin ndërkombëtar bazuar në rregulla.
Musk, edhe pse nuk ka më rol në administratën amerikane, vazhdon të ketë influencë në Europë për shkak të numrit të madh të ndjekësve dhe rolit të kompanisë së tij Starlink. Ai ka kritikuar shpesh presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen për “mungesë legjitimiteti dhe politika kundër lirisë së fjalës”.
Dokumenti i strategjisë së sigurisë kombëtare të SHBA-së, nën administratën Trump, nënvizon “nevojën për rezistencë ndaj trendit aktual të Europës”, duke lavdëruar ndikimin në rritje të partive patriotike. Zyrtarë të SHBA-së e përshkruajnë BE-në si një burokraci jo e zgjedhur dhe anti-demokratike, që ndjek politika “vetë-shkatërruese” për civilizimin europian.
Ekspertët e politikës e shohin këtë si një ndryshim të dukshëm krahasuar me administratën e parë Trump: fokus i Amerikës është më shumë tek interesat dhe fitimet ekonomike sesa promovimi i demokracisë globale, duke vendosur SHBA-në dhe jo Rusinë si “aktorin kryesor të rrezikut” në Europë.
