
Pagesat e ulëta të qirasë dhe trajtimi preferencial i pronave mbretërore nxisin thirrje për hetim parlamentar në Mbretërinë e Bashkuar
Skandalet që rrethojnë Andrew Mountbatten-Windsor vijojnë të trazojnë opinionin publik britanik, teksa raportimet për qiranë e papërfillshme që ai paguan për vilën prej 40 milionë dollarësh Royal Lodge kanë rikthyer në qendër të debatit privilegjet e familjes mbretërore. Sipas mediave britanike, ish-duka i Jorkut nuk është i vetmi që përfiton nga marrëveshje preferenciale strehimi – princ Edward dhe princesha Alexandra thuhet se paguajnë qira shumë më të ulëta se tregu.
Analistët paralajmërojnë se çështja mund të çojë në një hetim të plotë parlamentar mbi menaxhimin e pasurive të Kurorës. Norman Baker, ish-politikan dhe ekspert i financave mbretërore, deklaron se rasti i Andrew është vetëm maja e ajsbergut dhe se “kultura e privilegjit pa transparencë” duhet shqyrtuar më gjerësisht.
Ai përmendi faktin se në vitin 2007, princi Edward pagoi një shumë prej 6.7 milionë dollarësh për pronën e tij të përhershme, shumë që përkthehet në një qira shumë më të ulët se standartet e tregut. Baker ka kërkuar publikimin e listës së plotë të banesave të familjes mbretërore dhe niveleve të qirasë, por kërkesat deri tani janë refuzuar nga Crown Estate.
Sipas burimeve nga Pallati, marrëveshjet e qirave mbretërore prej kohësh janë të paqarta, ndërsa presioni publik rritet për transparencë, duke pasur parasysh se të ardhurat e Crown Estate shkojnë direkt në Thesar. Rasti Andrew mund të hapë rrugë drejt rishikimit të plotë të sistemit të privilegjeve mbretërore, duke krijuar precedent që mund të ndikojë në anëtarë të tjerë të familjes.
Debati vazhdon të thellohet ndërsa kërkesat për kontroll parlamentar marrin më shumë mbështetje.
