
Zonja e Parë e Francës përdor shprehjen ofenduese “kurva të ndyra” ndaj protestueseve pas një shfaqjeje në Paris, reagime të ashpra nga politikanë e figura publike
Brigitte Macron është vënë në qendër të kritikave në Francë, pasi një video e publikuar nga revista Public e tregon duke i quajtur aktivistet feministe “kurva të ndyra” gjatë një bisede me komedianin Ary Abittan në teatrin Folies Bergère. Komenti i saj u bë pas protestës së një nate më parë, kur grupi feminist #NousToutes ndërpreu shfaqjen e Abittan duke e akuzuar publikisht për përdhunim, një çështje e pushuar nga prokuroria pas tre vitesh hetime.
Videoja ka shkaktuar reagime të forta në rrjetet sociale dhe politikë. Aktorja Judith Godreche u shpreh se “edhe unë jam një kurvë e pistë, dhe mbështes të gjithë të tjerat”, ndërsa eurodeputetja Manon Aubry kritikoi ashpër qëndrimin e Zonjës së Parë. Edhe kryetarja e të Gjelbërve Marine Tondelier e cilësoi deklaratën “thellësisht fyese”.
Zyra e Macron ka reaguar duke deklaruar se fjalia ishte një kritikë e momentit ndaj “metodës radikale të protestueseve”, por polemikat vazhdojnë të përshkallëzohen mes presionit publik dhe debatit mbi rolin e grave në shoqëri.
