
Mysonne Linen, që ka vuajtur 7 vite burg, emërohet këshilltar për reformën në drejtësi, mes kritikash të ashpra për zgjedhjen e Zohran Mamdani
Kryebashkiaku i sapozgjedhur i New Yorkut, Zohran Mamdani, ka përfshirë në komisionin e politikave të drejtësisë penale ish-rapperin dhe aktivistin Mysonne Linen, i cili ka vuajtur 7 vite burg për grabitje të armatosur në fund të viteve ’90. Lëvizja ka hapur një debat të gjerë publik në SHBA, me kritikë që e cilësojnë emërimin “të rrezikshëm” dhe “irracional”, ndërsa mbështetësit e shohin si përfshirje të zërave me përvojë reale në sistemin penal.
Linen, 49 vjeç, u dënua për dy raste grabitjeje të shoferëve të taksive në Bronx në vitet 1997 dhe 1998, duke u gjykuar me 7 deri në 14 vite burg. Ai u lirua me kusht në vitin 2006 dhe më vonë u rikthye në skenë si aktivist kundër dhunës në komunitete afro-amerikane. Përmes organizatës së tij Rising Kings dhe bashkëpunimeve me lëvizje sociale, ai ka punuar me të burgosur në Rikers Island dhe është përfshirë në fushata për reformën në drejtësi.
Pas emërimit në komisionin “Criminal Legal System”, Linen deklaroi se zgjedhja e tij është “shenjë e viteve të punës për komunitetet e margjinalizuara dhe kundër dhunës me armë”. Por kritikët e Mamdanit reaguan ashpër, duke e quajtur zgjedhjen shqetësuese dhe një goditje ndaj policisë e rendit publik.
Benny Boscio, kreu i Shoqatës së Oficerëve të Burgjeve, u shpreh se vendimi “nuk i jep besim sistemit të drejtësisë dhe lë jashtë procesit ata që riskojnë jetën për zbatimin e ligjit”. Ish-shefi i NYPD, John Chell, e vlerësoi vendimin si vazhdimësi të linjës politike të Mamdanit, i cili ka zgjedhur disa figura të diskutueshme në ekipet e tranzicionit.
Emërimi i Linen nuk është i vetmi që ka nxitur polemika. Në strukturat këshilluese të kryebashkiakut të ri janë përfshirë aktivistë dhe akademikë të majtë që më herët janë shprehur kundër policisë dhe politikave tradicionale të sigurisë në qytet.
Ndërsa Mamdani pritet të marrë zyrtarisht detyrën muajin e ardhshëm, opozita politike dhe grupe qytetare paralajmërojnë se New York-u mund të përballet me një kurs të ri radikal në politikat e rendit. Organizata “Jews Fight Back” shkroi se qyteti “po i dorëzohet radikalëve” dhe paralajmëroi për tensione të mëtejshme nëse kjo qasje vazhdon.
Mysonne Linen dhe përfaqësues të Mamdanit nuk kanë komentuar më tej mbi debatet, ndërsa vëmendja mbetet e përqendruar te mënyra si do të formësohet politika e re e sigurisë në qytet.
