
Inxhinieri u rrëzua nga pjesa e bishtit të avionit brenda hangarit të Heathrow; nis hetimi mbi shkaqet e aksidentit
Një inxhinier i linjës ajrore British Airways po lufton për jetën në spital pasi u rrëzua rreth 20 këmbë (rreth 6 metra) nga një avion dhe u përplas në beton gjatë një kontrolli teknik. Ngjarja ndodhi në hangarin e bazës së mirëmbajtjes së kompanisë në aeroportin Heathrow rreth orës 02:00 të së dielës.
Sipas raportimeve, inxhinieri po kontrollonte njësinë ndihmëse të fuqisë (APU) në bishtin e avionit kur humbi ekuilibrin dhe ra në tokë. Ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe e transportuan punonjësin në një spital në Londër, ku gjendja e tij përshkruhet si shumë e rëndë.
British Airways ka nisur një hetim të brendshëm, ndërsa Health & Safety Executive po kryen një hetim paralel për të zbardhur rrethanat që çuan në incident.
Një burim nga grupi i mirëmbajtjes deklaroi se rasti ka tronditur stafin, pasi aksidente të tilla janë të rralla dhe inxhinieri konsiderohej me përvojë dhe profesionist i besuar. Kolegtë shprehen se po luten për shërimin e tij sa më të shpejtë.
Hetimet pritet të përcaktojnë nëse ka pasur gabim njerëzor, problem teknik apo mungesë masash sigurie gjatë procesit të kontrollit të avionit.
