
Australia bëhet vendi i parë në botë që vendos bllokim të plotë për rrjetet sociale për moshat nën 16 vjeç, përfshirë TikTok, Instagram, Facebook, YouTube dhe X.
Nga data 10 dhjetor, Australia hyn në historik si vendi i parë që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç. Masa vjen pas shqetësimeve në rritje për ndikimin e teknologjisë tek adoleshentët dhe pas studimeve që tregojnë se përdorimi i tepërt i platformave online lidhet me probleme të shëndetit mendor, gjumit dhe performancës akademike.
Platformat si TikTok, YouTube, X, Reddit, Instagram, Facebook dhe Threads do të bllokohen gradualisht për përdoruesit që verifikohen si 13 deri në 15 vjeç. Meta ka nisur dërgimin e njoftimeve për përdoruesit në këtë grupmoshë, ndërsa çaktivizimi i llogarive ka filluar që nga 4 dhjetori.
Kryeministri Anthony Albanese e përshkroi vendimin si një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e fëmijëve, duke theksuar domosdoshmërinë që të rinjtë të kenë më pak ekspozim ndaj presionit dhe varësisë dixhitale. Studime të Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se 11 përqind e adoleshentëve kanë vështirësi në kontrollin e përdorimit të rrjeteve sociale, ndërsa kërkime të tjera pasqyrojnë lidhje midis përdorimit të shpeshtë dhe shqetësimeve emocionale.
Australia tashmë shihet si një laborator i vërtetë për të testuar ndikimin e ndalimit tek të rinjtë, ndërsa vendet e tjera pritet ta ndjekin me vëmendje zhvillimin e këtij vendimi.
