
Presidenti amerikan kërkon nga Ukraina të pranojë kushtet për paqe, ndërsa kritikon europianët për mungesë veprimi dhe mbështetje jo të mjaftueshme.
Donald Tramp deklaroi se Rusia mban pozita më të forta në procesin e negociatave për përfundimin e luftës, duke i kërkuar Volodymyr Zelenskyt të pranojë kushtet dhe të ecë drejt marrëveshjes së paqes. Në një intervistë për Politico, ai kritikoi ashpër udhëheqësit europianë për retorikë boshe dhe mosrealizim konkret në ndihmën për Ukrainën.
Tramp ka propozuar një plan me 28 pika për t’i dhënë fund konfliktit, por dokumenti ende nuk ka marrë miratimin e plotë as nga Moska dhe as nga Kievi. Sipas tij, procesi pengohet kryesisht nga çështjet territoriale dhe garancitë që Ukraina kërkon për t’u mbrojtur nga sulme të ardhshme ruse.
Kur u pyet se kush ka më shumë prioritet në tryezën e bisedimeve, Tramp u përgjigj se Rusia është shteti më i madh dhe më i fuqishëm në këtë moment, duke sugjeruar se Zelensky duhet të paraqesë fleksibilitet dhe të pranojë disa kushte për të mbyllur konfliktin.
Zelensky pritet të dorëzojë një version të ri të propozimit të paqes, ku sipas tij do të hiqen pikat që favorizojnë Moskën. Ndërkohë, Tramp theksoi se aleatët europianë flasin shumë, por ndihma reale në terren nuk është në nivelin e pritshëm, ndërsa lufta vazhdon pa një afat për fundin.
