
Rrugë të shembura, qindra mijëra njerëz pa energji elektrike dhe paralajmërim për pasgoditje të forta
Një tërmet i magnitudës 7.5 goditi brigjet e rajonit Aomori në Japoninë veriore duke shkaktuar plagosjen e të paktën 30 personave, shembje rrugësh, ndërprerje të energjisë elektrike dhe situatë alarmante në kushte të acarta dimri. Agjencia Meteorologjike e Japonisë njoftoi se fillimisht lëkundja u raportua 7.6 ballë, ndërsa më pas u rishikua në 7.5, duke paralajmëruar mundësi për tërmete të tjera të forta në ditët në vijim.
Pamjet që qarkulluan nga vendngjarja tregojnë panik në supermarkete, sende të rrëzuara nga raftet dhe çarje të mëdha në rrugë, ku një automjet u gjet i zhytur në një gropë të hapur nga shembja. Rreth 28 mijë banorë u urdhëruan të evakuohen menjëherë, ndërsa strehimoret e përkohshme raportohet se janë mbushur plot.
Shërbimi hekurudhor Shinkansen u pezullua në disa zona për kontrolle sigurie, ndërkohë që operatori Tohoku Electric Power konfirmoi se nuk janë vërejtur anomali në centralet bërthamore Higashidori dhe Onagawa. Më herët u raportuan disa shpërthime zjarri, por autoritetet thanë se vetëm një shtëpi u përfshi nga flakët.
Sipas gjeologëve Kyle Bradely dhe Judith A. Hubbard, nuk ka mënyrë të saktë për të parashikuar nëse një tërmet i fortë do të pasohet nga një tjetër edhe më i fuqishëm, megjithatë statistikat historike tregojnë se një ngjarje e tillë është e rrallë. Kujtojmë se në vitin 2011, tërmeti 9.0 ballë shkaktoi cunamin tragjik që mori jetën e 18.500 personave dhe solli katastrofën në centralin bërthamor Fukushima.
Japonia ndodhet mbi katër pllaka tektonike në zonën e njohur si Unaza e Zjarrit të Paqësorit, një nga rajonet sizmike më aktive në botë. Autoritetet mbeten në alarm të lartë, pasi paralajmërimet për pasgoditje vazhdojnë, ndërsa banorët përballen me dëmet, temperaturat e ulëta dhe mungesën e energjisë në zonat më të prekura.
