Disa qytetarë i janë bashkuar protestës së Kreut të “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, përpara Kryeministrisë. Lapaj e ka nisur protestën i vetëm që mbrëm, ndërsa sot i janë bashkuar edhe qytetarët dhe do të qëndrojnë para kryeministrisë të gjithë si grup.
Ata thonë se nuk kanë dalë në emër të partisë për të protestuar por si aktivistë edhe qytetarë të thjeshtë. Gjithashtu qytetarët janë shprehur se po presin edhe të tjerë që t’i bashkohen kësaj proteste.
Lapaj mbrëm postoi një video në rrjetet sociale, ku tregoi se ka nisur protestë para kryeministrisë. Reagimi i tij ishte, pasi Kryeministri Edi Rama sulmoi Gjykatën Kushtetuese.
Në videon që Lapaj publikoi mbrëmë thotë se pas 3 vitesh protesta në shesh për rritjen e çmimeve, do të qëndrojë në karrike para zyrës së Ramës dhe sot ka dorëzuar edhe kërkesën për protestën në polici. Në fund të videos, Lapaj shpresoi që në ditët në vazhdim para kryeministrisë të ketë qindra e mijëra qytetarë.
