
Rasti ka ndezur debat të gjerë publik për sigurinë, menaxhimin e azilkërkuesve dhe masat ndaj dhunës seksuale në vend
Dy adoleshentë me origjinë nga Afganistani, të cilët mbërritën në Britani me gomone përmes Kanalit, janë dënuar me 9 dhe 10 vite burg për përdhunimin e një vajze 15-vjeçare. Sipas hetimit, të mitura iu afrua nga autorët, u tërhoq në një zonë të izoluar dhe u dhunua seksualisht, një ngjarje që ka shkaktuar tronditje të madhe në opinionin publik.
Avokatët e të dyshuarve kërkuan që identitetet e tyre të mos bëheshin publike, me argumentin se kjo mund të shkaktonte tensione, por gjykata vendosi t’i bëjë emrat publikë, duke theksuar rëndësinë e transparencës në raste të tilla. Gjyqtarja Sylvia de Bertodano deklaroi në seancë se ngjarja ka ndryshuar përgjithmonë jetën e të miturës dhe se askush nuk duhet të përjetojë dhunë të tillë.
Rasti ka hapur diskutime të forta mbi politikat e migracionit dhe menaxhimin e azilkërkuesve që strehohen në hotel-qendra pritjeje. Shumë komente publike kërkojnë masa më të forta sigurie dhe deportim automatik për autorët e krimeve të rënda, ndërsa të tjerë theksojnë se dhuna seksuale duhet trajtuar si krim individual dhe jo të lidhet me komunitete të tëra.
Në muajt e fundit në Britani janë raportuar disa raste të ngjashme të abuzimeve seksuale nga persona të strehuar si azilkërkues, çka ka rritur presionin ndaj qeverisë për të rishikuar procedurat e kontrollit, strehimit dhe përfshirjes në komunitet.
Debati mbetet aktiv, ndërsa opinioni publik kërkon politika më efikase për parandalimin e krimeve seksuale dhe mbrojtjen e grave e vajzave në vend.
