
TikTok, YouTube, Instagram dhe Facebook bllokohen për të miturit, platformat rrezikojnë gjoba deri në 49.5 milionë dollarë australianë
Australia është bërë vendi i parë në botë që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën 16 vjeç. Dhjetë prej platformave më të mëdha, përfshirë TikTok, Google YouTube, Instagram dhe Facebook, janë urdhëruar të bllokojnë aksesin për të miturit nga mesnata e të mërkurës, në të kundërt rrezikojnë gjoba deri në 49.5 milionë dollarë australianë.
Vendimi ka marrë reagime të forta, duke u kritikuar nga kompani teknologjike dhe organizata të lirisë së fjalës, ndërsa është përshëndetur nga prindër dhe aktivistë për të drejtat e fëmijëve. Zbatimi i ligjit po ndiqet me interes nga vende të tjera që shqyrtojnë masa të ngjashme për shkak të shqetësimeve mbi ndikimin e platformave në shëndetin mendor dhe sigurinë e të rinjve.
Kryeministri Anthony Albanese, në një mesazh video që pritet të transmetohet në shkolla, u ka bërë thirrje të rinjve të shfrytëzojnë kohën për aktivitete jashtë ekranit, si sporti, muzika apo leximi. Sipas qeverisë, lista e platformave të ndaluara mund të zgjerohet me shfaqjen e aplikacioneve të reja.
Ekspertë parashikojnë se Australia do të shërbejë si një provë globale për modelet e rregullimit të mediave sociale tek të miturit, ndërsa vende si Danimarka, Malajzia dhe disa shtete të SHBA po shqyrtojnë hapa të ngjashëm.
