
26-vjeçarja akuzohet për shkelje të ligjeve të rrepta kundër pornografisë në Indonezi, me raportime për kushte të vështira burgimi dhe qeli të mbipopulluara
Aktorja australiane e filmave për të rritur, e njohur si Bonnie Blue dhe me emrin e vërtetë Tia Billinger, mund të përballet me deri në 15 vite burg në Bali pasi u arrestua për shkelje të ligjeve strikte kundër pornografisë në Indonezi. Ajo u ndalua të premten së bashku me rreth 20 shtetas britanikë dhe australianë, ndërsa policia sekuestroi pajisje filmimi, kamera, medikamente të ndryshme, mjete kontraceptive dhe automjetin e saj të përdorur për xhirime.
Autoritetet indoneziane raportojnë se Blue dyshohet për krijim dhe shpërndarje të materialeve pornografike në një studio në Bali. Nëse gjykata e shpall fajtore, përveç burgut, ajo mund të përballet me një gjobë deri në 6 miliardë rupiah, që përkthehet në rreth 541 mijë dollarë australianë.
Burime lokale thonë se aktorja do të intervistohet nga zyra e emigracionit brenda 48 orëve, ndërsa rasti i saj mund të kalojë shpejt në prokurori në rast presioni medial apo publik. Si shtetase e huaj, ajo mund të kërkojë asistencë konsullore, por kjo nuk ndikon në procesin penal indonezian.
Raportimet ndërkombëtare theksojnë se kushtet në burgjet e Indonezisë shpesh janë të vështira, me qeli të mbipopulluara, mungesë higjiene dhe shërbime të kufizuara shëndetësore, krejt ndryshe nga standardet e Britanisë apo Australisë. Ekspertët paralajmërojnë se trajtimi i të dënuarve mund të ndryshojë nga rasti në rast dhe shpesh ndikohet nga pagesat informale dhe korrupsioni.
Bonnie Blue dyshohet se hyri në Bali me vizë turistike dhe kishte promovuar qëndrimin e saj në rrjetet sociale si mundësi takimi me fansa, pasi më herët ishte ndaluar të vizitonte Australinë. Ndërkohë, hetimet ndaj saj vazhdojnë dhe autoritetet pritet të vendosin fazën e mëtejshme të procedurës ligjore.
