
Autoritetet rrisin shpërblimin në 15 milionë dollarë ndërsa kërkimi global për të vazhdon
FBI ka publikuar një fotografi të re të Ryan Wedding, ish-sportistit olimpik kanadez në sportin e snowboardit, i cili akuzohet se drejton një rrjet ndërkombëtar trafiku droge në bashkëpunim me kartelin Sinaloa. Fotoja, e realizuar dyshohet gjatë verës së kaluar në Meksikë, e tregon Wedding pa bluzë në një shtrat, ndërsa një tatuazh i madh me luan në kraharor e bën lehtësisht të identifikueshëm.
Sipas hetimeve, Wedding është në krye të një operacioni global kokaine dhe dyshohet për përfshirje në disa vrasje, përfshirë ekzekutimin e një çifti të vrarë gabimisht me keqidentifikim. Ai lidhet gjithashtu me urdhërimin e vrasjes së një dëshmitari federal në Medellin, Kolumbi, në janar të këtij viti, pak para dëshmisë së tij kundër grupit.
FBI ka rritur shpërblimin për informacion që çon në kapjen e Wedding në 15 milionë dollarë, duke e vendosur atë në krye të listës së 10 personave më të kërkuar në Shtetet e Bashkuara. Autoritetet amerikane dhe ato meksikane po bashkëpunojnë për gjurmimin e tij, ndërsa publikimi i fotografive të reja synon të ndihmojë në identifikim dhe lokalizim.
Hetimet për rrjetin ndërkombëtar të drogës vazhdojnë, ndërsa Wedding konsiderohet person tepër i rrezikshëm dhe në arrati.
