Protestat në Londër kundër ndalimit të “Palestine Action”, akuza për kufizim të lirisë së fjalës!

Protestat e fundit përpara Parlamentit britanik janë pjesë e një serie tubimesh që kundërshtojnë vendimin e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për të shpallur të ndaluar grupin “Palestine Action”, në bazë të Ligjit për Terrorizmin të vitit 2000. Vendimi u mor në korrik, pasi anëtarë të grupit hynë në një bazë ajrore në jug të Anglisë dhe shkaktuan dëme të vlerësuara në rreth 7 milionë paund (9,4 milionë dollarë) në dy avionë.
Anëtarësia ose mbështetja për këtë grup, i cili ka marrë mbështetje publike nga personalitete si shkrimtarja irlandeze Sally Rooney dhe muzikanti i “Massive Attack”, Robert Del Naja, tashmë konsiderohet vepër penale që dënohet deri në 14 vjet burg.
“Palestine Action” ka fituar të drejtën nga Gjykata e Lartë për të sfiduar këtë ndalim, por qeveria po kërkon ta rrëzojë këtë vendim. Seanca gjyqësore është caktuar në 25 shtator.
Edhe organizata e të drejtave të njeriut Amnesty International UK reagoi ashpër. Kerry Moscogiuri deklaroi: “Kur qeveria po arreston njerëz nën ligjet e terrorizmit, për të protestuar paqësisht, atëherë diçka po shkon shumë keq në Mbretërinë e Bashkuar. Kriminalizimi i fjalës është i lejueshëm vetëm kur ajo nxit dhunë ose urrejtje. Shprehja e mbështetjes për “Palestine Action” nuk e përmbush këtë kriter.”
Protestat kanë sjellë arrestime masive. Më shumë se 700 persona janë arrestuar në demonstratat e mëparshme, përfshirë 532 në një tubim në Londër më 9 gusht, i cilësuar si vala më e madhe e arrestimeve në kryeqytet që nga vitet 1960. Nga këta, 138 persona janë zyrtarisht të akuzuar në bazë të Ligjit për Terrorizmin.
Mes të arrestuarve është edhe Mike Higgins, 62 vjeç, i verbër dhe përdorues i karriges me rrota, i cili u bë i njohur pas arrestimit të tij më 9 gusht. Ai vendosi të rikthehej sërish në protestë këtë të shtunë. “Çfarë zgjedhje kam?” – tha ai për agjencinë Press Association. “Askush tjetër nuk po bën asgjë për gjenocidin, përveç nesh. Unë konsiderohem terrorist? Kjo është absurde!”