

Christopher Millwater u ther për vdekje në parking, ndërsa çifti u arratis drejt Karolinës së Veriut; të dy të pandehurit deklarojnë pafajësinë
Një ngjarje e rëndë është raportuar në Long Island të SHBA, ku 52-vjeçari Christopher Millwater u vra me thikë në parkingun e Stony Brook Yacht Club më 10 nëntor. Sipas prokurorisë, viktima kuptoi rrezikun vetëm çaste para sulmit, duke pyetur autorin e dyshuar Victor Panebianco 32 vjeç nëse po e qëllonte, pak para se ai ta godiste dy herë në zonën e zemrës dhe mushkërive.
Zyrtarët thanë se Millwater bërtiti për ndihmë, ndërsa Panebianco i hipi sipër dhe e goditi me thikë disa herë të tjera, përpara se ta godiste me shkelm në kokë dhe të largohej me makinë. Ngjarjen e ndoqi nga afër ish-e dashura e viktimës, Kacy Corso 33 vjeç, e cila sipas hetimit dyshohet se e nxiti partnerin e ri duke i thënë të mos zmbrapsej. Çifti u largua më pas drejt Karolinës së Veriut ku jetonin së bashku.
Autoritetet japin detaje se udhëtimi drejt Long Island ishte i qëllimshëm, me qëllimin për të përballur Millwaterin, pasi ai dyshohet se kishte vazhduar ta kontaktonte Corson edhe pas ndarjes. Panebianco është ekstraduar dhe akuzohet për vrasje, ndërsa të dy të pandehurit janë paraqitur në gjykatë duke u deklaruar të pafajshëm. Seancat e radhës janë caktuar për 13 dhe 14 janar.
Rasti vijon të hetohet, ndërsa autoritetet presin prova të reja dhe dëshmi shtesë për zbardhjen e plotë të motivit të krimit.
