
Presidenti amerikan deklaron se ditët e liderit venezuelian janë të numëruara dhe lë të hapur mundësinë për dislokim trupash amerikane, ndërsa tensionet në Karaibe rriten
Presidenti i SHBA, Donald Tramp, ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, duke thënë se ditët e tij në pushtet janë të numëruara. Në intervistën për Politico, kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se regjimi i Karakasit nuk mund të vazhdojë të qëndrojë në pushtet, teksa administrata amerikane po ashpërson fushatën kundër trafikut të drogës në Amerikën Latine. Megjithatë, Trump shmangu të tregonte nëse SHBA do të ndërmarrë veprime të drejtpërdrejta për ndryshimin e regjimit.
Kur u pyet nëse mund të përjashtonte një ndërhyrje tokësore amerikane në Venezuelë, ai refuzoi të japë përgjigje të prerë, duke thënë se nuk dëshiron të flasë për strategji ushtarake. Tramp i akuzoi autoritetet venezueliane se po lejojnë trafikantët të depërtojnë drejt SHBA, përfshirë anëtarë të grupit kriminal Tren de Aragua, dhe theksoi se populli venezuelian ka vuajtur rëndë nën drejtimin e Maduros.
SHBA ka kryer më shumë se 20 sulme ajrore ndaj mjeteve të dyshuara për trafik droge në Detin e Karaibeve dhe Oqeanin Paqësor që prej shtatorit, ku sipas raportimeve mbi 80 persona kanë humbur jetën. Trump paralajmëroi se sulme kundër objektivave brenda territorit venezuelian mund të ndodhin shumë shpejt, ndërsa Pentagoni ka nisur të rrisë prani detare dhe amfibe pranë kufijve të vendit.
Në Venezuelë, Maduro ka urdhëruar mobilizim ushtarak dhe përgatitje për mbrojtje guerile nëse shkallëzimi arrin në ndërhyrje ajrore apo tokësore. Gjatë intervistës, Trump tha se është i hapur edhe për goditje ushtarake ndaj objektivave në Meksikë dhe Kolumbi, të cilat ai i lidh me trafikun e fentanylit drejt SHBA.
Ndërkohë që Shtëpia e Bardhë akuzon kartelet venezueliane për trafik droge drejt SHBA, raporte të mëparshme të DEA tregojnë se pjesa më e madhe e fentanylit hyn nga Meksika përmes substancave të importuara nga Kina.
