
Këngëtarja 44-vjeçare pranon se frika nga lartësitë dhe incidenti me ashensorin e bënë ngjitjen drejt skenës një përvojë të frikshme
Christina Aguilera ka treguar se është ndier e frikësuar para performancës së saj në majën e Kullës Eiffel, pjesë e xhirimeve për koncert-filmin e ardhshëm Christina Aguilera: Christmas in Paris. E ftuar në programin The Jennifer Hudson Show, artistja tha se lartësitë janë një nga frikërat e saj më të mëdha dhe se performanca në një nga monumentet më të njohura të botës i është dukur një sfidë emocionale.
Ajo ka rrëfyer se ndjesia e frikës nisi që në momentin e hipjes në ashensor, pasi ngjitja lart ishte e gjatë, e dukshme nga dritaret dhe në një hapësirë të ngushtë. Aguilera shtoi se një moment e bëri situatën edhe më stresuese, kur ashensori ndaloi papritur dhe operatori komentoi se ndalja nuk ishte normale, çka e shtoi pasigurinë e saj.
Megjithë frikën dhe tensionin, performanca u realizua me sukses dhe do të shfaqet në koncert-filmin që pritet të dalë së shpejti, ku Aguilera sjell atmosferë festive dhe pamje madhështore mbi Paris.
