DR. ARQILE BOTI
E kam parë për herë të parë rreth viteve ’93-’94. Ishte një figurë që të mbetej në kujtesë: flokët e tij karakteristikë, mustaqet, veshja e thjeshtë, por mbi të gjitha një prani që të jepte qetësi dhe siguri. Nuk e kisha përjetuar më parë ndjesinë që një njeri të transmetonte aq shumë mirësi e dashuri për njerëzit përreth.
Vitet kaluan dhe ai do të vinte në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, ku mbajti një ligjëratë mbi agjërimin e myslimanëve. Ishte e mahnitshme ta dëgjoje: i pajisur me dije të thella, me argumente të forta, me një mënyrë të qartë dhe të bindshme të shpjeguari. Atë ditë kuptova se Dr. Arqile Boti nuk ishte vetëm një mjek i zakonshëm, por një njeri i ditur, që i kishte kushtuar jetën kërkimit, studimit dhe mbi të gjitha shërbimit për njerëzit.
Ai ishte gjithmonë aktiv. Nuk njihte lodhje, nuk njihte orar. Nuk ishte mjek statik, i kufizuar brenda një zyre apo spitali. Ishte mjek shëtitës, gjithnjë në lëvizje, duke ndjekur thirrjen e nevojtarëve. Ku e gjente mëngjesi, nuk e zinte nata. Për të, ndihma ndaj tjetrit nuk ishte profesion, por mision jete.
Nuk priste shpërblim, nuk priste lavdi. Shpërblimi i tij i vetëm ishte të shihte dikë të shëruar, dikë që merrte frymë më lirshëm, dikë që buzëqeshte pas shërimit. Ishte i thjeshtë, i përulur, por me një madhështi që e njihnin të gjithë ata që e kishin pranë.
Ia kushtoi jetën njeriut, duke e parë shëndetin si amanet dhe përgjegjësi hyjnore. Pikërisht për këtë arsye, ai fitoi respektin dhe nderimin e të gjithëve. Ishte një shembull i gjallë se si duhet të jetë një mjek: i ditur, i përkushtuar, i sakrificës dhe i dashurisë për njerëzit.
Me punën e tij, me mënyrën e tij të të qenit, Dr. Arqile Boti e meriton plotësisht emrin Hipokrati i kohëve moderne. Ai nuk kurseu asgjë nga vetja, sepse e dinte se investimi më i madh duhet të bëhet sot, jo nesër. Dhe këtë e dëshmoi çdo ditë të jetës së tij.
Faleminderit për gjithçka, Dr. Arqile Boti!
Tirana dhe e gjithë Shqipëria do të të kujtojnë me nderim, respekt dhe mirënjohje.
