
Deputetë të Rassemblement National paralajmërojnë një projekt-ligj për rikthimin e bordelove në formë kooperative, ndërsa modeli krahasohet me praktikat e Belgjikës, Holandës dhe Gjermanisë.
Rassemblement National në Francë ka hapur një debat të ri politik pas deklarimeve të disa drejtuesve të partisë që kërkojnë rihapjen e shtëpive publike, të mbyllura në vitin 1946 me ligjin e Marthe Richard. Deputeti Jean-Philippe Tanguy po përgatit një projekt-ligj që synon krijimin e bordelove të administruara nga vetë punonjëset e seksit në formë kooperative, duke i cilësuar si zonja të pavarura brenda hapësirës së tyre të punës.
Sipas mediave zvicerane dhe britanike, projekt-ligji besohet se ka mbështetjen e Marine Le Pen, e cila më parë është pozicionuar kundër penalizimit të klientëve të prostitucionit me argumentin se rrit rrezikun për gratë që punojnë në këtë sektor. Nëse kjo nismë shtyhet përpara, do të ishte një kthesë historike për Francën pas afro tetë dekadash ndalese.
Modeli që po diskutohet në Francë mbështetet te praktika të ngjashme në Belgjikë, Holandë dhe Gjermani. Belgjika në vitin 2024 u bë vendi i parë që u dha punonjëseve të seksit të drejta të plota pune, ndërsa në Itali disa figura politike brenda koalicionit qeveritar të Giorgia Meloni kanë shprehur po ashtu simpati për rihapjen e shtëpive publike, megjithëse pa konkretizim deri tani.
Iniciativa ka ngjallur polemika të forta brenda organizatave që mbështesin punëtoret e seksit, të cilat kundërshtojnë romantizimin e konceptit dhe kërkojnë më shumë masa sigurie e mbështetje sociale para çdo legalizimi të ri. Debati është tashmë i hapur edhe në pjesë të tjera të Bashkimit Europian, duke e rikthyer temën e legalizimit të prostitucionit në qendër të polemikave shoqërore dhe politike.
