
Pesë zyrtarë të Bashkisë dhe IMT-së, si edhe tre përfaqësues kompanish nën hetim për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre.
Prokuroria e Tiranës ka zbardhur një skemë të dyshuar abuzimi me fondet publike, ku fonde për demolime dhe evadim mbetjesh ndërtimore janë përfituar për punime që, sipas hetimeve, rezultonin të kryera më parë. Për këtë çështje u dhanë masa sigurie për tetë persona, pesë prej të cilëve zyrtarë të Bashkisë Tiranë dhe Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit.
Masa sigurie janë caktuar për: Aurel Çuko, Aurel Boriçi, Eleana Guçe, Rexhina Rakipi, Sokol Qehajaj, Aleksandra Mahmutllari, Shyqyri Maloku dhe Fatmir Firi. Hetimet nisën pas denoncimit të një qytetari për shembjen e pallatit të tij pa njoftim dhe pa vendim zyrtar. U provua se në janar 2021 u shembën gjashtë objekte, ndërsa më pas në mars 2021 u miratuan fonde për demolimin e 15 pallateve, mes tyre edhe të atyre që tashmë ishin rrëzuar.
Sipas Prokurorisë, kompania fituese e tenderit ka përfshirë në dokumente objekte të shembura më parë duke paraqitur punime fiktive dhe duke shkaktuar dëm financiar në buxhetin e Bashkisë Tiranë. Dokumentet e punimeve janë hartuar dhe firmosur me të dhëna të rreme, duke përfshirë elemente të falsifikimit dhe shpërdorimit të detyrës.
Hetimi ka zbuluar se punonjës të IMT-së kanë hartuar preventivat e punimeve pa verifikim në terren, vetëm mbi bazë projektesh ekzistuese. Ndërkohë, përgjegjës dhe drejtues të Emergjencave Civile kanë firmosur aktet zyrtare që lidhen me dorëzimin e sheshit të ndërtimit dhe dokumentacionin teknik, duke konsumuar veprën penale të falsifikimit në formë të rënduar.
Në bazë të vendimit të Prokurorisë, për disa nga personat e përfshirë është urdhëruar arrest në shtëpi, ndërsa të tjerët do të paraqiten periodikisht pranë autoriteteve deri në përfundim të hetimeve.
