
Strategjia e re amerikane shmang kritikën ndaj Rusisë, frenon zgjerimin e NATO-s dhe sinjalizon një të ardhme ku Evropa shihet më e dobët e më e fragmentuar.
Doktrina e re e sigurisë kombëtare e administratës Tramp ka tronditur aleatët perëndimorë dhe ka vënë në dyshim themelet e rendit gjeopolitik të krijuar pas Luftës së Ftohtë. Dokumenti godet drejtpërdrejt Bashkimin Europian dhe relativizon rolin e NATO-s, duke sinjalizuar tërheqje të SHBA nga modeli tradicional i lidershipit global dhe fokusim në Hemisferën Perëndimore.
Surprizues është fakti se strategjia përmend Rusinë vetëm si kërcënim të perceptuar për Europën, por jo për SHBA, duke shmangur kritikat ndaj pushtimit të Ukrainës. Reagimi i Rusisë ishte i menjëhershëm, duke e vlerësuar dokumentin si në linjë me interesat e saj.
Analistët theksojnë se strategjia i shkon për shtat synimeve të Kremlinit, pasi minimizon rolin e NATO-s, frenon zgjerimin e saj dhe krijon hapësirë për një Europë të dobësuar politikisht. Udhëheqësit amerikanë nënvlerësojnë institucionet e përbashkëta europiane, ndërsa përkrahin modelin e një kontinenti të ndarë në shtete sovrane që marrin vendime të pavarura, çka mund të sjellë dobësim të unitetit dhe mbrojtjes kolektive.
Dokumenti përfshin mesazhe kontradiktore: nga njëra anë kërkon që Evropa të forcojë aftësitë e saj mbrojtëse pa SHBA, ndërsa nga ana tjetër e kritikon BE-në si pengesë për sovranitetin kombëtar. Nën këtë logjikë, çdo tentativë e Europës për të dalë më e fortë ushtarakisht mund të shihet si sfidë për Washingtonin.
Strategjia frenon gjithashtu perspektivën e anëtarësimit të Ukrainës në NATO, duke e parë zgjerimin e aleancës si jo prioritar. Në të njëjtën kohë, SHBA pritet të reduktojë praninë ushtarake në kontinent, duke ngritur dyshime për gatishmërinë e saj për të mbrojtur vendet anëtare në një krizë të mundshme. Kjo retorikë përkon me narrativën ruse që e përdor NATO-n si justifikim për agresionin e saj.
Ndërkohë që vendet europiane kanë shprehur shqetësim dhe kërkojnë qartësi, Moska e ka përshëndetur dokumentin duke e cilësuar realist. Në këtë mjedis të ri strategjik, Ukraina rrezikon të mbetet me më pak mbështetje, duke parë si NATO-n ashtu edhe BE-në më të pasigurta në orientimin e tyre afatgjatë.
Analistët paralajmërojnë se pa presion ndaj Kremlinit dhe pa garanci të qarta sigurie, doktrina e re u hap rrugën ambicieve të Putinit në rajon, duke u bërë një fitore gjeopolitike pa luftë për Rusinë.
