
Aktorja dhe këngëtarja amerikane deklaron se ka dy filma e dy albume Krishtlindjesh, por thekson se Mariah Carey mbetet e pakonkurrueshme.
Mariah Carey, prej dekadash e konsideruar si Mbretëresha e Krishtlindjeve falë hitit të pavdekshëm “All I Want for Christmas Is You”, këtë vit ka marrë një “paralajmërim” miqësor. Këngëtarja dhe aktorja Zooey Deschanel, e njohur nga filmi klasik i festave “Elf” dhe tashmë protagoniste në filmin e ri festiv “Merv”, ka bërë shaka se i ka sytë nga kurora e Krishtlindjeve.
Në një intervistë, 45-vjeçarja u shpreh me humor se pretendimi i saj nuk është i pabazë. “Thjesht po them faktet. Kam dy filma Krishtlindjesh dhe dy albume festive. A ka Mariah dy filma për Krishtlindje? Po pyes vetëm…”, tha ajo duke qeshur.
Deschanel, së bashku me bendin e saj She & Him, ka publikuar albumet A Very She & Him Christmas (2011) dhe Christmas Party (2016), ndërsa Carey vijon të sundojë çdo sezon dimëror me albumin Merry Christmas të vitit 1994, ku përveç këngës kult, përfshihen edhe këngë festive si Silent Night, Joy to the World dhe Santa Claus Is Comin’ to Town.
Pavarësisht batutave, Zooey e mbylli me elegancë, duke mos pretenduar vërtet fronin: “E dua Mariah. Ajo është Mbretëresha e Krishtlindjes”, tha këngëtarja para se intervista të mbaronte.
Festat sapo kanë nisur dhe duket se gara për “shpirtin e Krishtlindjes” mbetet e ëmbël, plot humor dhe muzikë, me Mariah Carey ende të pathyeshme në majë të pemës së vitit të ri.
