
Vajza u sulmua nga tre persona pas mesnate në zonën Jonio, Prokuroria hap hetim, Carabinierët në kërkim të autorëve.
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Romë, ku një vajzë 23 vjeç u dhunua seksualisht pranë stacionit të metrosë Jonio, në pjesën verilindore të qytetit. Sulmi ndodhi pak pas mesnatës, në një zonë me ndërtesa banimi, por pothuajse e boshatisur në atë orë. Sipas policisë italiane, tre burra e kapën vajzën sapo doli nga metroja; dy e mbajtën me forcë, ndërsa i treti kreu sulmin seksual.
Pas krimit, autorët u larguan me shpejtësi në rrugicat e lagjes duke përfituar nga errësira, ndërsa thirrjet e vajzës ndërprenë qetësinë e natës. E reja, në gjendje shoku, arriti vetë të paraqitej në spitalin Pertini, ku mori ndihmën e parë mjekësore dhe raportoi ngjarjen. Menjëherë më pas policia u njoftua dhe nisi procedurat hetimore.
Prokuroria e Romës ka hapur çështje penale, ndërsa Carabinierët po punojnë për identifikimin e autorëve. Për momentin nuk ka të dhëna të sakta mbi identitetin e tyre, pasi viktima ka mundur të japë vetëm një dëshmi të pjesshme. Hetuesit po analizojnë kamerat e sigurisë në zonë dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve që mund të kenë parë apo dëgjuar diçka të lajmërojnë autoritetet.
Ngjarja ka ndezur debat të fortë në Itali mbi sigurinë publike dhe mbrojtjen e grave gjatë orëve të vona, duke rikthyer në qendër të vëmendjes problemin e dhunës seksuale në hapësirat urbane.
