
Seanca pritet të nisë në orën 12:30, ndërsa më herët gjykata rrëzoi kërkesën e Berishës dhe mbrojtjes për pavlefshmëri provash të SPAK.
Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) zhvillon sot seancën e radhës për çështjen Partizani, ku të pandehur janë Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe tre persona të tjerë. Procesi pritet të nisë në orën 12:30.
Në seancën e kaluar, gjykimi u shty për shkak të mungesës së avokatëve Sokol Hazizaj dhe Vasilika Hysi, që përfaqësojnë në mbrojtje biznesmenin Fatmir Bektashi dhe dy kompani të përfshira në dosje.
Më herët, GJKKO rrëzoi kërkesën e Berishës dhe të pandehurve të tjerë për pavlefshmëri të provave të administruara nga SPAK, duke argumentuar se pretendimet nuk bazoheshin në ligj dhe se aktet e hetimit paraprak ishin të vlefshme. Bëhej fjalë për autorizimet dhe vendimet e gjyqtares së hetimeve paraprake Irena Gjoka.
Dosja u kalua për gjykim në 19 maj. Berisha akuzohet për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë, pasi dyshohet se në kohën kur ishte kryeministër ka ndërhyrë për miratimin e ligjeve dhe akteve që kanë favorizuar përfitime për dhëndrin e tij Malltezi.
