
Klodian Kulla u hodh nga ura në rrugën e Arbrit; familjarët thonë se kohët e fundit kishte gjendje të rënduar psikologjike dhe perceptime të çrregullta.
Një ngjarje e rëndë është regjistruar ditën e djeshme në rrugën e Arbrit, ku Klodian Kulla, 39-vjeçar, nip i Nehat Kullës, ka humbur jetën pas hedhjes nga një urë e lartë metalike. Policia konfirmon se hetimet paraprake nuk kanë gjetur shenja konflikti apo përfshirjeje të personave të tjerë dhe rasti po trajtohet si vetëvrasje.
Sipas familjarëve, Klodian Kulla në muajt e fundit shfaqte simptoma të depresionit të thellë, halucinacione dhe ankth të vazhdueshëm. Në disa raste përjetonte perceptime të rreme dhe skena kërcënuese, të cilat e tensiononin psikologjikisht. Për përmirësimin e gjendjes, familja kishte ndjekur trajtim me psikolog dhe medikamente, ndërsa së fundi kishte kërkuar edhe ndihmë fetare.
39-vjeçari shpesh dilte për shëtitje në natyrë pas seancave terapeutike, duke u shoqëruar nga familjarë. Megjithatë, ditën e djeshme ai doli i vetëm me makinë, ndaloi pranë urës në rrugën e Arbrit dhe u hodh prej saj, duke humbur jetën në vendngjarje. Tragjedia vjen pas një periudhe të gjatë luftimi me problemet e shëndetit mendor, ku familjarët kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për ta mbështetur.
Policia ka mbyllur fazën e parë të hetimeve dhe nuk ka identifikuar elementë kriminalë në ngjarje.
