
Plani i Ministrisë së Brendshme italiane parashikon që migrantët nga vendet e sigurta të transferohen në Shqipëri dhe të rikthehen brenda 30 ditësh, pa pezullim automatik gjatë apelimit.
Italia ka finalizuar planin për rihapjen e qendrës së pritjes në Gjadër, e cila pritet të vihet në funksion që në pranverën e vitit të ardhshëm, nëse rregulloret e reja të Bashkimit Evropian kalojnë pa pengesa. Sipas burimeve nga Roma, skema parashikon që migrantët që vijnë nga vendet e konsideruara të sigurta të trajtohen në Gjadër me procedura të shpejta kufitare.
Ndryshe nga modeli fillestar, migrantët nuk do të transferohen drejtpërdrejt nga anijet e marinës italiane në Shqipëri, por do të zhvendosen nga pikat e pritjes në territorin italian menjëherë pas mbërritjes. Rregulloret e reja evropiane i japin Italisë bazën ligjore për përdorimin e Shqipërisë si vend i tretë i sigurt për procesimin e kërkesave të azilit.
Pritet që lista e re e vendeve të sigurta të përfshijë Bangladeshin dhe Egjiptin, dy shtetet me numrin më të lartë të mbërritjeve në Itali gjatë 2025. Në listë mbeten edhe Tunizia dhe Maroku. Kjo do të thotë se fluksi drejt Shqipërisë mund të rritet ndjeshëm, duke mbushur kapacitetin prej rreth 1,100 vendesh të qendrës së Gjadrit.
Sipas planit, migrantët do të kalojnë procedura të përshpejtuara dhe riatdhesimi parashikohet të kryhet brenda 30 ditësh. Ndërkohë, heqja e pezullimit automatik të riatdhesimit gjatë apelimit synon të shmangë kthimet e përsëritura drejt Italisë në pritje të vendimeve gjyqësore. Ankesa mbetet e mundur, por kthimi ndalet vetëm me vendim gjykate.
Ministri italian i Drejtësisë Carlo Nordio u shpreh se rregullorja e re i jep fund paqartësive ligjore dhe hap rrugën për një model të qëndrueshëm funksionimi. Ndërsa qeveria italiane shprehet optimiste, Konferenca e Ipeshkvijve Italianë e ka cilësuar projektin si në kufijtë e standardeve demokratike.
Aktualisht, qendra e Gjadrit mbetet thuajse bosh, por Roma po përgatitet ta aktivizojë sapo procedurat ligjore të BE dhe të Italisë të mbyllen. Nëse plani finalizohet, Shqipëria mund të përballet së shpejti me një valë të re emigrantësh, në kohën kur shumë qytetarë shqiptarë vetë po kërkojnë largimin nga vendi.
