
Shefi i diplomacisë ruse thotë se Moska nuk synon luftë me Evropën, por do përgjigjet ndaj çdo hapi që konsiderohet armiqësor; ndërkohë Kievi përgatit versionin e ri të planit të paqes.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka lëshuar një paralajmërim të ri ndaj vendeve të NATO-s, duke deklaruar se vendosja e trupave europiane në Ukrainë apo sekuestrimi i aseteve ruse do të sillte reagim nga Moska. Sipas tij, Rusia nuk kërkon një konflikt të drejtpërdrejtë me Evropën, por është e gatshme të përgjigjet nëse ndërmerren hapa që konsiderohen kërcënues për interesat e saj.
Deklaratat u publikuan nga mediat shtetërore ruse, ku Lavrov theksoi se presidenti Vladimir Putin ka urdhëruar që çdo lëvizje e NATO-s në terrenin ukrainas të trajtohet si akt armiqësor. Ai nënvizoi se çdo tentativë për sekuestrimin e aseteve financiare ruse në Evropë do të marrë kundërpërgjigje të menjëhershme.
Ndërkohë, pala ukrainase po përgatit një version të rishikuar të planit të paqes me 20 pika, të cilin pritet ta paraqesë në Shtetet e Bashkuara pas takimeve të presidentit Volodymyr Zelensky me liderët europianë. Zelensky është shprehur se mund të zhvillohen zgjedhje në vend, me kusht që të ketë mbështetje për sigurinë nga aleatët perëndimorë.
Brukseli ndërkohë diskuton përdorimin e aseteve të ngrira ruse për të financuar mbrojtjen e Ukrainës ose për t’i shndërruar në fonde kompensimi. Disa vende, përfshirë Belgjikën, kërkojnë garanci ligjore para çdo vendimi, ndërsa bisedimet vijojnë.
