
Krisje bashkëpunimi me Turkish Airlines, udhëtarët përballen me kaos dhe tarifa më të larta
Air Albania ka ndalur fluturimet drejt Stambollit që nga data 6 dhjetor, duke lënë jashtë planit të udhëtimit qindra qytetarë që kishin prenotuar bileta. Agjencitë u njoftuan vetëm në momentet e fundit se linja do të anulohej përgjatë gjithë javës, ndërsa pasagjerët u detyruan të devijojnë udhëtimin përmes Prishtinës dhe Podgoricës, me kosto shtesë transporti. Ata që kanë bileta të paguara deri në Stamboll, sipas rregullave duhet të rimbursohen.
Situata ka sjellë rritje të menjëhershme të çmimeve në operatorin e vetëm aktiv aktualisht drejt Turqisë, Pegasus Airline, ku biletat njëdrejtim u rritën në 70 deri 100 euro, nga 40 deri 50 euro më parë. Në janar, çmimet parashihen të rikthehen në nivele normale.
Air Albania, që zakonisht realizonte deri në tre fluturime në ditë drejt Stambollit duke mbuluar një fluks të lartë tregtar e turistik, pritet të rifillojë operimin të shtunën. Në faqen zyrtare shfaqen fluturime nga e premtja pas mesditës, ndërsa nga fundjava programohen dy nisje në ditë.
Problemet duket se lidhen me vendimin e Turkish Airlines, që posedon 49 % të aksioneve të kompanisë shqiptare, për të shitur pjesën e saj në Air Albania. Prej një jave ky operator nuk ofron bileta tranziti përmes linjave të Air Albania, situatë që ka shkaktuar bllokim në itinerarin e përdorur nga qindra udhëtarë për dalje në destinacione ndërkombëtare.
Rifillimi i fluturimeve mbetet ende për t’u konfirmuar zyrtarisht, ndërsa udhëtarët presin qartësi për kthimin në normalitet të linjës më të ngarkuar rajonale pas destinacioneve italiane dhe britanike.
