
Ekspertët paralajmërojnë festat e fundvitit me kaos, ndërsa supergripi shpërndahet me shpejtësi, shkollat mbyllen dhe NHS paralizohet nga fluksi i të sëmurëve
Britania e Madhe po përballet me një valë të pazakontë gripi dimëror, të cilësuar si supergripi K (H3N2), që ka çuar në kolaps disa spitale dhe ka detyruar institucione arsimore të rikthejnë masa të ngjashme me periudhën e pandemisë. Të paktën gjashtë spitale kanë shpallur incident kritik ndërsa numri i pacientëve rritet me ritme rekord në prag të festave.
Sipas autoriteteve shëndetësore, mbi 1,700 pacientë ndodheshin të shtruar me grip javën e fundit, një rritje mbi 50 për qind krahasuar me një vit më parë. Drejtoresha e vaksinimeve në NHS, Caroline Temmink, ka apeluar qytetarët të marrin vaksinën sa më shpejt, veçanërisht fëmijët dhe grupet e rrezikuara, duke paralajmëruar se sezoni mund të përkeqësohet ndjeshëm para se të stabilizohet.
Shumë shkolla kanë mbyllur dyert për shkak të shpërthimeve masive të sëmundjes mes fëmijëve, ndërsa mjekët këshillojnë prindërit të mbajnë fëmijët në shtëpi nëse shfaqin temperaturë, kollë, dhimbje trupi apo lodhje. Ekspertët pohojnë se mutacioni i ri po përhapet më shpejt se gripet e zakonshme, ndërsa vaksina mund të ketë efikasitet më të ulët për shkak të ndryshimeve virale të shpejta gjatë verës.
Një tjetër shqetësim serioz është mungesa e stafit, pasi greva e mjekëve rezidentë nis më 15 dhjetor, duke e vendosur sistemin shëndetësor para presionit ekstrem. Zyrtarët e NHS paralajmërojnë se situata mund të kujtojë krizën e pandemisë, me kufizime në vizita, përdorim maskash në transport dhe rekomandime për shmangie grumbullimesh, sidomos gjatë festave.
Simptomat e subkladës K shfaqen me nisje të menjëhershme dhe përfshijnë temperaturë, lodhje, dhimbje muskulare, kollë, rrjedhje hundësh dhe dhimbje fyti. Në disa raste shfaqen probleme gastrointestinale, sidomos tek fëmijët. Mjekët theksojnë se shumica e rasteve trajtohen në shtëpi me pushim dhe lëngje, por personat vulnerabël duhet të kërkojnë kujdes mjekësor nëse simptomat përkeqësohen.
NHS ka ripërsëritur thirrjen për vaksinim urgjent, shmangie të kontakteve kur jeni të sëmurë, higjienë të duarve dhe përdorim të maskave në ambiente të mbushura me njerëz. Ndërsa rritja e infektimeve vazhdon, autoritetet frikësohen se ky sezon gripi mund të rezultojë në një nga shpërthimet më të këqija të viteve të fundit në Mbretërinë e Bashkuar.
