
28-vjeçari George Hooley, pjesëtar i Parachute Regiment, vdiq gjatë një misioni monitorimi në Ukrainë; Ministria e Mbrojtjes e Britanisë publikon foton me qenin e tij
Fotoja e parë e ushtarit britanik George Hooley, i cili humbi jetën në Ukrainë, është publikuar nga Ministria e Mbrojtjes në Londër. Lance Corporal Hooley, 28 vjeç, ishte i angazhuar në një mision vëzhgimi të testimeve të kapaciteteve mbrojtëse të forcave ukrainase kur ndodhi aksidenti fatal. Ai pritej të promovohej në gradën korporal muajin e ardhshëm.
Në foton e bërë publike ai shfaqet me qenin e tij Mabel, një imazh që ka prekur opinionin britanik. Ushtari kishte shërbyer më parë në Afganistan, Afrikë dhe Europën Lindore, ndërsa kolegët e kanë përshkruar si njeri plot energji, humor dhe mbështetje për të gjithë. Komandanti i kompanisë e ka cilësuar Hooley si njeriun që frymëzonte grupin, mbante moralin lart dhe përçonte pozitivitet te të tjerët.
Regjimenti i Parashutistëve bëri me dije se Hooley iu bashkua ushtrisë në vitin 2015 dhe e përfundoi trajnimin me rezultate të larta. Ai kishte kaluar me sukses kursin e nënoficerëve në vitin 2020 dhe tashmë mbante detyra me përgjegjësi të nivelit korporali. Autoritetet britanike konfirmuan se incidenti nuk lidhet me zjarr armiqësor.
Gjatë seancës së pyetjeve në Parlament, kryeministri Keir Starmer vlerësoi kontributin e Hooley, duke thënë se ai shërbeu me nder në misionet për lirinë dhe demokracinë. Britania ka pranuar më herët praninë e një numri të vogël personeli ushtarak në Ukrainë, kryesisht për sigurinë e misioneve diplomatike dhe asistencë ndaj forcave ukrainase.
Familja dhe trupi ushtarak pritet të mbajnë ceremoni nderimi në ditët në vijim, ndërsa homazhet dhe mesazhet prekëse kanë vërshuar në rrjetet sociale.
