
Stacey Warnecke, 30 vjeç, zgjodhi një lindje të lirë pa mbikëqyrje mjekësore; humbi shumë gjak dhe vdiq, ndërsa spitali përdori të gjithë rezervën e grupit të saj të gjakut
Influencerja australiane e mirëqenies, Stacey Warnecke, ka humbur jetën si pasojë e humbjes së rëndë të gjakut pasi solli në jetë fëmijën e saj në një lindje të ashtuquajtur freebirth pa praninë e stafit mjekësor. Ngjarja ndodhi në shtëpinë e saj në Melburn më 29 shtator, ku Warnecke ishte e shoqëruar nga bashkëshorti dhe një doula joregjistruar, Emily Lal.
Foshnja lindi shëndoshë, por gjendja e nënës u përkeqësua shpejt. Rreth orës 04:30 u thirr ambulanca, ndërsa paramedikët e gjetën 30-vjeçaren të zbehtë, me vështirësi në frymëmarrje pranë pishinës së lindjes. Ajo u transportua me urgjencë në spitalin Frankston, ku mjekët përdorën të gjithë rezervën e gjakut të grupit të saj në përpjekje për ta shpëtuar, por pa sukses. Mjekët dyshojnë se ajo vdiq nga hemorragjia e rëndë pas lindjes.
Sipas gjykatës së Koronerit në Viktoria, Stacey nuk kishte marrë kujdes prenatal gjatë shtatzënisë, duke refuzuar kontrollet, ekografitë dhe ndjekjen nga mjekët, pasi promovonte një mënyrë jetese natyrale dhe pa ndërhyrje kimike. Ajo kishte zgjedhur lindjen në shtëpi dhe ishte ndihmuar nga doula Lal, e cila raportohet se e kishte pastruar shtëpinë ditën pas ngjarjes përpara mbërritjes së policisë.
Hetimi pritet të shqyrtojë marrëdhënien e Warnecke me doulën, vendimmarrjen e saj për shmangien e sistemit shëndetësor, si dhe ndikimin e pandemisë në besimet e saj. Komisioneri i Ankesave Shëndetësore në Viktoria ka nisur ndërkohë një hetim ndaj Lal për dyshimet se ka ndihmuar lindjet shtëpiake të rrezikshme.
Procesi hetimor do të rikthehet në gjykatë në mars për seancën e radhës.
