
Zvicra, një nga vendet më të zhvilluara në botë, strehon sot më shumë se 2 mijë milionerë shqiptarë, shumica prej tyre me origjinë nga Kosova, si dhe rreth 10 mijë biznese të drejtuara nga shqiptarët, sipas raportimeve të gazetës zvicerane në gjuhën shqipe LeCanton27.ch.
Në një vend me afro 9 milionë banorë, ku 26% janë të huaj (rreth 2.2 milionë), shqiptarët përfaqësojnë rreth 3% të popullsisë dhe përbëjnë një nga komunitetet më aktive ekonomikisht dhe politikisht. Mbi 300 mijë shqiptarë jetojnë dhe punojnë aktualisht në Zvicër, shumica nga Kosova, por edhe nga Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Shqipëria dhe Mali i Zi.
Sipas Zyrës Federale të Statistikave në Bernë, shqiptarët janë komuniteti që ka njohur rritjen më të madhe në numër dhe ndikim. Christoph Freymond, zyrtar i kësaj zyre, ka theksuar se çdo vit qindra shqiptarë marrin nënshtetësinë zvicerane, ndërsa shumë prej tyre kanë ndikuar edhe në politikën e brendshme dhe të jashtme, si në Zvicër ashtu edhe në Kosovë.
Ministri i Jashtëm zviceran, Ignazio Cassis, së fundmi në një intervistë për LeCanton27.ch, ka vlerësuar komunitetin shqiptar, duke e cilësuar atë si një shembull të integrimit të suksesshëm dhe kontributit të çmuar në shoqërinë zvicerane.
Transformimi ekonomik i shqiptarëve në Zvicër është i jashtëzakonshëm. Vetëm në Zvicrën gjermanofolëse numërohen mbi 6 mijë biznese të udhëhequra nga sipërmarrës shqiptarë. Sipas të dhënave të LeCanton27.ch, aktualisht Zvicra numëron më shumë se 2 mijë milionerë shqiptarë, shumica e të cilëve janë brezi i dytë i emigrantëve dhe kanë ndërtuar pasuri përmes punës dhe sipërmarrjes.
Roli i diasporës shqiptare në Zvicër është i dukshëm edhe përtej kufijve të vendit. Mbi 1 miliard euro në vit dërgohen në Kosovë, ndërkohë që sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), 17.6% e këtyre dërgesave vijnë nga Zvicra, duke e renditur vendin të dytin pas Gjermanisë.
Komuniteti shqiptar në Zvicër është sot një histori suksesi, që shërben si model për integrimin, zhvillimin ekonomik dhe ruajtjen e identitetit kulturor.