
Gjatë aksionit Operacionalja 75 u sekuestruan armë zjarri, radio policie, jelek antiplumb dhe municion luftarak
Policia e Shtetit ka zbardhur detaje të reja nga operacioni policor i zhvilluar mëngjesin e sotëm në zonat e Dobraçit dhe Fushë Kuqes, ku u arrestuan dy persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të shpallur në kërkim nga SPAK. Operacioni, i koduar Operacionalja 75, u finalizua nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale.
Të arrestuarit janë Elvin Merlika, 47 vjeç, banues në Mamurras, dhe Alket Xhixha, 42 vjeç, banues në Fushë Krujë, ndaj të cilëve Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kishte caktuar masën e sigurisë arrest me burg. Ata akuzohen për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për kryerje veprash penale nga organizata kriminale.
Sipas policisë, operacioni u zhvillua në një terren të vështirë pranë lumit në zonën e Fushë Kuqes, ku forcat speciale arritën të identifikonin, lokalizonin dhe ndalonin dy shtetasit, të cilët ishin të armatosur në momentin e kapjes.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat dhe ambientet e përdorura prej tyre, u sekuestruan dy armë zjarri tip pistoletë të fshehura në çanta marsup, dy armë gjahu, municion luftarak pa leje, si dhe dy radio ndërlidhëse të ngjashme me ato të policisë dhe një jelek antiplumb.
Policia bën me dije se puna vijon për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të dy të arrestuarve dhe për sigurimin e provave të tjera që lidhen me hetimin në kuadër të procedimeve të ndjekura nga SPAK.
