
Carnegie Europe krahason projektin e Alabbarit në Durrës me Belgrade Waterfront dhe Velika Plaža, duke evidentuar rrezik të lartë financiar, mungesë transparence dhe kosto publike mbi 600 milionë euro
Një raport analitik i Carnegie Europe ngre alarmin për rreziqet financiare dhe institucionale që lidhen me projektin Durrës Yachts and Marina, duke e vendosur atë në të njëjtën linjë problematike me Belgrade Waterfront në Serbi dhe projektin e pezulluar të Velika Plaža në Mal të Zi. Në të tre rastet, investitori kryesor është Eagle Hills i Mohamed Alabbarit dhe modeli i ndjekur mbetet i njëjtë, tokë publike, privilegje fiskale, mungesë gare reale dhe varësi nga vendime politike të centralizuara.
Raporti thekson se në Beograd, projekti u miratua me ligj të posaçëm duke anashkaluar planifikimin urban dhe konsultimet publike, ndërsa në Mal të Zi u ndal pas reagimit të fortë të shoqërisë civile dhe autoriteteve vendore. Në Durrës, skema përsëritet pothuajse identikisht, ku zhvillimi i marinës luksoze mbështetet fuqishëm në parapagimet e blerësve të apartamenteve, duke transferuar riskun financiar nga investitori tek qytetarët.
Sipas analizës, investitori ka fleksibilitet të tërhiqet në çdo moment, ndërsa humbja eventuale nuk rëndon mbi kompaninë, por mbi blerësit që kanë paguar paraprakisht dhe mbi shtetin shqiptar. Në këtë kontekst, blerësit e apartamenteve konsiderohen hallka më e pambrojtur e gjithë projektit, pasi në rast dështimi do të përballen me procese të gjata gjyqësore dhe një sistem drejtësie të ngadaltë.
Një tjetër element kritik i raportit është lidhja e drejtpërdrejtë mes marinës së Durrësit dhe zhvendosjes së portit tregtar në Porto Romano. Ky i fundit parashikohet të ndërtohet me fonde publike që variojnë nga 600 deri në 800 milionë euro, në një zonë të ndotur historikisht, me rreziqe serioze mjedisore nga dragimi i llumit toksik. Ndërkohë, fitimet nga marina luksoze mbeten private, duke krijuar një disbalancë të thellë mes përfitimit dhe barrës financiare.
Raporti vë në dukje se Bashkimi Europian ka tërhequr një grant prej 28 milionë eurosh për rehabilitimin e portit ekzistues, pas firmosjes së kontratës mes qeverisë shqiptare dhe Eagle Hills, duke sinjalizuar shqetësime serioze mbi respektimin e rregullave të ndihmës shtetërore, prokurimit publik dhe standardeve mjedisore.
Në analizë theksohet se në vendet e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, qeveritë shpesh zgjedhin pazaret me investitorë të mëdhenj dhe propagandën politike për përfitime afatshkurtra elektorale, në vend të ndjekjes së rregullave europiane. Shembulli i Air Albania përmendet si paralajmërim konkret se projektet e promovuara fort politikisht mund të përfundojnë në dështim financiar, me kosto për qytetarët.
Në përfundim, Carnegie Europe nënvizon se problemi nuk qëndron tek origjina e investitorëve, por tek fakti kur ata operojnë në sisteme ku marrëveshjet politike janë më të leverdishme sesa respektimi i ligjit. Raporti paralajmëron se rrezikun më të madh nuk e mbajnë ata që inaugurojnë projektet, por qytetarët që kanë firmosur kontrata dhe kanë investuar kursimet e tyre, duke i bërë thirrje për më shumë transparencë, garanci ligjore dhe mbikëqyrje reale institucionale.
