![]()
Sipas SPAK, Mërlika bashkëpunoi me Ervis Martinajn dhe Nuredin Dumanin për sigurimin e kushteve të atentatit që nuk u realizua
Elvin Mërlika, i arrestuar gjatë aksionit të RENEA në Fushë Kuqe, rezulton të jetë një nga emrat kyç në dosjen e SPAK për planifikimin e vrasjes së Indrit Dokles, atentat i porositur nga Ervis Martinaj. Arrestimi i tij vjen pas një hetimi të gjatë të Prokurorisë së Posaçme, të mbështetur kryesisht në dëshmitë e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani.
Sipas SPAK, Elvin Mërlika dyshohet se ka pasur rol aktiv në sigurimin e kushteve dhe mjeteve për kryerjen e vrasjes, në kuadër të një bashkëpunimi të posaçëm të grupit të strukturuar kriminal. Hetimet tregojnë se ai ka shërbyer si lidhje direkte mes Ervis Martinajt dhe ekzekutorëve të planifikuar të atentatit.
Nga dëshmia e Nuredin Dumanit rezulton se Ervis Martinaj kishte rënë dakord të paguante shumën prej 500 mijë euro për eliminimin e Indrit Dokles, duke dhënë edhe një paradhënie prej 100 mijë eurosh. Dumani ka deklaruar se për këtë qëllim është takuar në Kosovë me dy persona, njëri i identifikuar si Eli dhe tjetri si vëllai i Besian Xhixhës, të cilët udhëtonin me një automjet tip Hummer. SPAK ka arritur të provojë se personi i quajtur Eli është Elvin Mërlika, ndërsa personi tjetër është Alket Xhixha.
Hetimet konfirmojnë se Mërlika dhe Xhixha kanë udhëtuar drejt Kosovës për të ndërmjetësuar marrëveshjen, ndërsa komunikimet me Martinajn janë zhvilluar drejtpërdrejt gjatë takimit. Ky version është përforcuar edhe nga dëshmia e Henrik Hoxhajt, i cili ka deklaruar se shuma e kërkuar për vrasjen ishte mbi 500 mijë euro dhe se ekzekutorëve u ishte lënë dorë e lirë për çmimin.
Megjithatë, sipas dosjes hetimore, pas një periudhe ndjekjeje të objektivit, grupi ka arritur në përfundimin se Indrit Dokle ishte një objektiv shumë i vështirë për t’u goditur, çka bëri që plani të mbetej në fazë përgatitore dhe atentati të mos realizohej.
Paralelisht me hetimin penal, SPAK ka kryer edhe hetim pasuror ndaj Elvin Mërlikës dhe personave të lidhur me të, duke kërkuar konfiskimin e 20 pasurive, përfshirë kompani, apartamente, toka dhe automjete luksoze. Prokuroria ka argumentuar se këto pasuri ishin të pajustifikuara nga burime të ligjshme dhe të dyshuara si produkt i veprimtarisë kriminale.
Megjithatë, më 7 nëntor, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar kërkesën e SPAK për konfiskimin e pasurive, duke vendosur revokimin e masës së sekuestros dhe kthimin e pronave tek pronarët e tyre, me arsyetimin se kërkesa nuk ishte e bazuar mjaftueshëm në ligj dhe prova.
Operacioni i RENEA-s është shoqëruar edhe me kontrolle në Dobraç, ku janë ushtruar veprime ndaj pjesëtarëve të fisit Bajra, si dhe me shoqërimin e një personi ende të paidentifikuar dhe mbikëqyrjen e një automjeti të vjedhur. SPAK dhe Policia e Shtetit kanë bërë me dije se hetimet vijojnë, ndërsa priten zhvillime të tjera në dosjen që lidhet me rrjetin kriminal të dyshuar të Ervis Martinajt.
