
FIFA konfirmon tarifa që shkojnë deri në mbi 6 mijë paund për finalen, duke nxitur zemërim dhe heqje dorë nga udhëtimi drejt SHBA
Tifozët e kombëtares së Anglisë po paralajmërojnë bojkot të Kupës së Botës 2026, pas publikimit të çmimeve zyrtare të biletave nga FIFA, të cilat janë cilësuar si skandaloze dhe përjashtuese për mbështetësit e zakonshëm. Shumë anëtarë të England Supporters Travel Club kanë deklaruar se po heqin dorë nga planet për të ndjekur ekipin në Shtetet e Bashkuara për shkak të kostove tepër të larta.
Sipas listës së publikuar, biletat më të lira për ndeshjet e fazës së grupeve të Anglisë kundër Ganës dhe Panamasë nisin nga rreth 164 paund, ndërsa për ndeshjen hapëse ndaj Kroacisë çmimet arrijnë deri në mbi 500 paund, në varësi të kategorisë së ulëseve dhe stadiumit. Edhe kategoritë e quajtura supporter value nga FIFA rezultojnë të papërballueshme për shumë tifozë.
Situata përkeqësohet ndjeshëm në fazat me eliminim direkt. Nëse Anglia arrin në çerekfinale, çmimet e biletave variojnë nga mbi 500 deri në më shumë se 1 mijë paund. Për gjysmëfinalet, minimumi shkon rreth 686 paund, ndërsa kategoritë më të larta kalojnë 2 mijë paund. Kulmi i çmimeve arrihet në finalen e Botërorit në stadiumin MetLife në New Jersey, ku biletat variojnë nga mbi 3 mijë deri në rreth 6 mijë e 500 paund.
Për krahasim, bileta më e shtrenjtë sezonale në Premier League kushton rreth 3 mijë paund dhe përfshin 18 ndeshje gjatë një sezoni të plotë. Ky raport ka nxitur reagime të ashpra, me tifozë që akuzojnë FIFA-n se po e kthen Kupën e Botës në një event elitar, të paarritshëm për publikun e zakonshëm.
Përveç biletave, tifozët përballen edhe me shpenzime të tjera të larta, përfshirë fluturimet, akomodimin, çmimet e ushqimit dhe pijet në stadiume, të cilat në disa qytete amerikane pritet të jenë mbi 10 paund për një birrë. Të gjitha këto faktorë kanë shtyrë shumë mbështetës të Anglisë të rishqyrtojnë pjesëmarrjen në turne.
Pakënaqësia po rritet në prag të Botërorit më të madh në histori, i organizuar në SHBA, Kanada dhe Meksikë, ndërsa tifozët kërkojnë nga FIFA rishikim të politikës së çmimeve, duke paralajmëruar se, në të kundërt, stadiumet mund të mbeten pa një nga grupet më besnike të mbështetësve europianë.
